Bota Shenja lehtësimi të tensionit Francë-Britani, por “ndeshja” nuk ka përfunduar

Shenja lehtësimi të tensionit Francë-Britani, por “ndeshja” nuk ka përfunduar

Ka shenja të lehtësimit të tensioneve në mosmarrëveshjen e peshkimit midis Britanisë së Madhe dhe Francës.

Franca ka liruar një peshkarexhë britanike që u arrestua javën e kaluar, tha ministri britanik i Mjedisit Eustice për stacionin Broadcaster Sky. Qeveria e tij përshëndeti vendimin e Francës për të mos vendosur sanksione tregtare për momentin. Ato do të hynin në fuqi të mërkurën. Parisi kishte kërcënuar ndër të tjera se do të mbyllte disa porte për anijet britanike të peshkimit. Nga ana e saj, qeveria në Londër kishte paralajmëruar kundërmasa.

Mosmarrëveshja ka të bëjë me licencat e peshkimit. Londra ishte zotuar të jepte një sasi të caktuar të tyre për kohën pas Brexit-it. Franca ankohet se këto dokumente po refuzohen, por Britania e kundërshton këtë.

Franca e akuzon Britaninë se nuk respekton marrëveshjet e Brexit-it dhe se ka mohuar licencat e shumë peshkatarëve francezë për të peshkuar në ujërat britanike, në kundërshtim me marrëveshjen. Nga Londra, akuzat janë hedhur poshtë. Londra thotë se bëhet fjalë vetëm për disa dhjetëra peshkarexha, që nuk kanë marrë leje për shkak të mungesës së dokumenteve. Të dyja palët tani duan të rifillojnë bisedimet për këtë temë.

Paralajmërimet parashikonin masa të tjera

Peshkarexhën britanike që liroi të martën, Franca e kishte ndaluar të enjten e kaluar. Një varkë e dytë u paralajmërua, sepse u tha se dyshohej që po lundronte pa licencë në ujërat franceze. Annick Girardin, ministrja franceze e ngarkuar me peshkimin, tha se varka ishte sekuestruar gjatë një inspektimi pranë Le Havre për peshkim atje pa licencë. “Nuk është luftë me armë, por është ndeshje”, tha ajo për radion RTL.

Qeveria britanike shprehu irritim për këtë veprim dhe kërkoi sqarime për këtë çështje. Një zëdhënës i kryeministrit britanik Boris Johnson tha se ambasadori britanik në Francë kishte kërkuar bisedime me ministrin francez të Europës.

Franca kishte kërcënuar gjithashtu se do të forconte kontrollet doganore, të sigurisë dhe të tjera mbi anijet dhe kamionët britanikë që udhëtojnë midis dy vendeve. Përveç kësaj, mund të ketë masa që prekin furnizimet me energji në Britani, u tha.

Në Twitter, ministri i Brexit-it në Britaninë e Madhe, David Frost reagoi: “Është shumë zhgënjyese që Franca e ndjen të nevojshme të bëjë kërcënime natën vonë kundër industrisë së peshkimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe, me sa duket, tregtarëve në përgjithësi”. Ai tha se tani do të kërkonte sqarime në Paris, por gjithashtu po shqyrtonte “çfarë veprimesh duhet të ndërmarrim në dritën e këtij informacioni“, u shpreh Frost.

Ujërat britanike janë ndër më të pasurat me peshq në Atlantikun e Veriut dhe përfaqësojnë pjesën më të madhe të peshqve që kapen në BE. Negociatat midis Komisionit Europian dhe qeverisë në Londër mbi marrëveshjet konkrete për peshkimin vazhduan këtë javë. Krahas statusit të Irlandës së Veriut, peshkimi ishte çështja më e ndjeshme në negociatat e daljes nga BE.