Burime të rezervuara brenda PD-së, pohojnë se opozita e bashkuar po punon për një skemë sulmi për bllokimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Kështu u shpreh analisti Lorenc Vangjeli mbrëmjen e së premtes në emisionin “Java në RTSH”.
Ai shtoi se ende nuk ka një vendim përfundimtar se çfarë do të ndodhë sepse dinamika e ngjarjeve mund të diktojë ndryshime deri në minutën e fundit, por elementët kryesorë të asaj që do të ndodhë të dielën e fundit të qershorit janë mbi tryezë.
“Burimet pohojnë se PD e LSI nuk janë të interesuara që bllokimi të ndodhë në çdo qark e qytet të Shqipërisë. Parimi themelor që do të ndiqet është të ndërhyhet në mënyrë të përqëndruar dhe aty ku ka mbulim mediatik shumë të madh.
Jo për të ndikuar në proces, por për të shkatërruar standardet e tij dhe të pamundësohet votimi aty ku do të jetë e mundur.
Kjo do të thotë se shënjeshtër kryesore do të jetë trekëndëshi i Shqipërisë së mesme, Tiranë-Durrës-Elbasan. Shkodra e Kukësi në veriperëndim e verilindje, Berati e Skrapari në jug. Ndoshta probleme do të shënohen edhe në Lezhë dhe Dibër”, tha Vangjeli.
Sipas tij, në Tiranë, ku do të jetë edhe synimi kryesor, protesta që do të thirret atë ditë, do të synojë të zhvendosë turma të mëdha disa mijëra vetë njëkohësisht nga një qendër në tjetrën, çka do të pamundësonte ndërhyrjen e policisë dhe evidentimin e elementëve të veçantë.
“E njëjta strategji do të ndiqet edhe në qytetet e tjera. Prishja e procesit të votimit në disa qytete mund të shërbejë edhe si një kartë për rikthimin e opozitës në sistem, pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet që do të përsëriten po në këto qytete ku ajo i ka prishur vetë zgjedhjet.
Burimet specifikojnë se indicije të tilla kanë mbërritur dhe në policinë e shtetit, që planifikon përgjigjen e saj ndaj një skenari të tillë të përshkallëzuar.
Kodi penal dënon me burg ndërhyrjen në procesin zgjedhor. Kryeministri Edi Rama ka ditë që përsërit se kush synon të bëjë një gjë të tillë, së bashku me gjithë familjarët e tij, do të kenë probleme serioze për udhëtimin e lirë në hapësirën Shengen dhe në SHBA.
Deri të dielën e fundit të qershorit do të rrjedhin shumë ujëra, por parashikimet për to, janë tërësisht të turbullta. As protagonistët dhe as spektatorët nuk mund të vënë bast se çfarë do të ndodhë me lëmshin që thuri në të njëjtën kohë edhe shkaku, edhe pasoja.
Guri që hodhi në lumë bashkë me vetveten opozita, në mënyrë paradoksale është lidhur me litar edhe në këmbët e pozitës, duke rrezikuar mbytjen e të parës dhe pikpyetje në të nesërmen e të dytës” – përfundoi analisti Lorenc Vangjeli në emisionin “Java në RTSH”.