Pas një debati të stuhishëm me një kohëzgjatje totale prej 38.5 orësh ligjërata dhe 200 deputetë që mbajtën fjalime parlamenti grek më në fund ratifikoi me 153 “po” Marrëveshjes së Prespës” që ndryshon panoramën e zhvillimeve në Ballkan.
Votimit i parapriu një javë e mbushur me konfrontime, dy divorce politike dhe shpërbërjen e një grupi parlamentar. Vetë Cipras kishte 145 vota, por në këtë votim ai pati mbështetjen edhe të deputetëve të pavarur.
Menjëherë pas votimit, kryeministri foli për një “ditë historike”, duke nënvizuar se me këtë hap Greqia blindon “një pjesë të rëndësishme të historisë së saj që lidhet me trashëgimiën e Maqedonisë së lashtë greke”. Tsipras foli për një faqe të re në Ballkan.
“Sot ka lindur Maqedonia Veriore, sot nuk ka fitues dhe humbës. Dua t’u them grekëve që e kritikojnë marrëveshjen se ne i respektojmë. Ata do të shohin shumë shpejt përfitimet e mëdha për vendin nga ky hap historik përpara. Urrejtja dhe nacionalizmi, i hapin rrugën miqësisë, paqes dhe bashkëpunimit. Gjeneratat e mëvonshme në të dy vendet do të na detyrohen mirënjohje deputetëve që me guxim hodhën themelet për një të ardhme të paqes, solidaritetit dhe harmonisë midis popujve”.
Opozita greke duket e mundur në një betejë jo vetëm numrash në parlament por edhe basti politik për një çështje që tashmë do të llogaritet si një tjetër sukses i të majtës greke në politikën e jashtme të vendin, me ndikime të drejtëpërdrejta në ecurinë e zhvillimeve në Ballkan, edhe nëse Tsipras mund t’i humbasë zgjedhjet e radhës ashtu siç mendon kreu i opozitës Mitsotakis.