Kryeministri Edi Rama në një lidhje live me “Opinion” në Televizionin Klan, u shpreh se shqiptarët që kanë mbetur në Greqi për shkak të mbylljes së kufijve, nuk do të penalizohen.
Por gazetari Blendi Fevziu i tregoi një mesazh të një qytetari i cili kishte fotografuar gjobën që kishte marrë, prej 1200 eurosh.
Edi Rama: Nuk ka më riatdhesime.
Blendi Fevziu: Po marrin 1200 euro gjobë shqiptarët që kanë mbetur në Greqi…
Edi Rama: Nuk është e vërtetë! Nuk është e vërtetë! Është teorike sepse ashtu është gjoba, por ne kemi biseduar dhe me kryeministrin grek dhe me ministrin e jashtëm dhe nuk do të ketë penalizime.
Blendi Fevziu: Por ja ku e kam foton, është e vënë gjoba këto ditë…
Edi Rama: Nuk do të ketë gjoba për qytetarët që kanë mbetur andej për shkak të mbylljes së kufirit prej situatës me Covid-19. Nuk kemi luksin për të hapur kufijtë ndaj do qëndrojnë andej për të mbrojtur veten dhe familjen e tyre. Por kuptoni që jemi në luftë dhe jo çdo gjë bëhet në perfeksion…
Blendi Fevziu: Ok, mund të thoni që ka raste por jo që nuk është e vërtetë…
Edi Rama: Në këtë luftim, nuk e kuptoj gjuhën greke, por në këtë luftë mos presë asnjeri perfeksion askund… nëse doni të kuptoni se ku mund të shihni, na krahasoni me New York… është kryeqyteti i financave botërore… më shkruan një mik dhe më thoshte që kishte 8 ditë me të gjitha simptomat dhe nuk bënte dot testin, dhe e lanë në shtëpi…
Blendi Fevziu: Zoti Rama, kam dhe foto të infermierëve që vishen me thes plehrash për t’u mbrojtur nga virusi… fakti që SHBA u gjen papërgatitur nuk është justifikim për ne…
Edi Rama: Aaaa në rregull!
Ndërkaq i pyetur se çfarë do të ndodhë me fatin e naftëtarëve të Ballshit, Rama u shpreh se po mundohen të gjejnë një zgjidhje, por mbetet një problem mes palëve pasi është marrëdhënie private.
“Kemi bërë çmos, është një marrëdhënie mes punëtorëve dhe privatëve… po punojmë për një zgjidhje, por nuk mund të bëjmë ne rolin e rafinerisë së janë marrëdhënie private dhe megjithatë i kemi dhe do i ndihmojmë sa të mundemi”.