Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme Asamblenë e PS për Tiranën në një hotel pranë Bashkisë së Tiranës.
Tema kryesore e takimit ishte arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që ishte gjithashtu edhe një nga drejtuesit e fushatës elektorale të selisë rozë për kryeqytetin.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi situatën si një sulm me prapavijë politike dhe elektorale, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të intensifikojë punën për të kompensuar dëmin e shkaktuar nga akuzat e fundit.
“Po na godasin për arsye elektorale. Kjo është një goditje e madhe për PS”, tha Rama, duke shtuar se do të angazhohet personalisht në drejtimin e punëve në distancë.
“Unë do të jem edhe kryetar bashkie. Do të takoj të gjithë drejtorët e përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të institucioneve”, ka theksuar Rama.
Sa i përket akuzave ndaj Veliajt, Rama i quajti ato të pabaza dhe me qëllim manipulimi publik. “Janë abuzive detajet e hedhura në publik. Veshjet dhe bizhutë janë blerë për shfaqjet kulturore, jo për përdorim personal,” deklaroi ai.
Gjithashtu, kryeministri ngriti dyshime mbi mënyrën se si po trajtohet çështja, duke përmendur Nesti Angonin si një person që nuk mund të jetë i vetëm në këtë proces.
“S’ka njeri në Republikë që mund të bëjë një hetim të tillë për gjithë jetën,” tha ai.
Ndërkohë, pas takimit në Bashkinë e Tiranës, Rama dhe drejtuesit e bashkive socialiste u zhvendosën në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë në ceremoninë e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.