“Poezia bashkëkohore shqipe, probleme dhe zgjidhje”, ishte aktiviteti i organizuar nga Poeti Laureat shqiptar, Rudolf Marku, dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me në fokus poezinë shqipe. Të pranishëm në diskutime ishin poetët Natasha Lako, Gazmend Krasniqi, Preç Zogaj, studiuesi dhe profesori Gëzim Basha dhe drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli.
Sipas Bardhylit, përmes krijimit të Poetit Laureat, QKLL-ja kërkon të kthejë vëmendjen te poezia si një element i rëndësishëm i letërsisë shqipe. “Ky aktivitet do të pasohet me një sërë aktivitetesh të tjera, me në fokus poezinë tonë të traditës, por edhe asaj bashkëkohore”, tha Bardhyli.
Poeti Laureat, Rudolf Marku, bëri një analizë të poezisë shqipe pas viteve ‘90, duke u ndalur në qasje e prirje që i kanë pasuruar vargjet shqipe. “Poezia shqipe meriton të prezantohet më mirë në gjuhë të tjera. Pjesa më e madhe e antologjive të botuara në botë, janë me autorë anonimë që nuk përfaqësojnë vlerat tona”, tha Rudolf Marku, duke hapur një temë të ndjeshme për një kulturë siç janë antologjitë letrare. Duke marrë shembuj disa antologji në gjuhë të ndryshme, si kroate, italiane apo finlandeze, ai tha se pjesa më e madhe e poetëve nuk njihen, ndërsa përkthimet e poezisë shqipe në gjuhën italiane janë skandaloze. “Kam në dorë një antologji në gjuhën finlandeze, e shoh që është me autorë që unë vetë personalisht nuk i njoh. Nga 27 autorë të përkthyer vetëm 3 mund të jenë emra të njohur, por sërish me poezi mesatare”, tha Marku. Sipas tij, duhet të rriten kriteret e botimeve të tilla, duhet të jetë më i fortë.
“Një antologji që botohet nën pretendimin se është ‘Antologjia e letërsisë shqipe’ nuk mund të jetë një ndërmarrje private”, tha Marku, duke marrë shembullin e Antologjisë së poezisë shqipe botuar në Kroaci në vitin 2015 me 12 shkrimtarë shqiptarë. “Pretendimi në titullin e kësaj antologjie, se është një antologji e poezisë shqipe, nuk e justifikon përmbajtjen”, tha Marku. E njëjta gjë, sipas tij, ka ndodhur dhe me antologjinë e botuar në Angli, ku thuhet se përfaqëson poezinë shqipe pas socializmit.
Poetja Natasha Lako u shpreh se ka refuzuar të përkthehet në anglisht, pasi përkthimet ishin të dobëta.
“Përkthimet janë në një nivel nën shijen e lexuesit. Duhen parë me kujdes këto botime paradoksale, ku mungon edhe një poet si Fatos Arapi”, tha Lako, duke thënë se edhe në antologjitë e botuara në gjuhën shqipe ka probleme. Një tjetër problem, sipas saj, është edhe evidentimi i proceseve të sotme letrare.
“Ju e dini se sa koherente janë letërsitë e tjera për çështjen aktuale. Është një problem i madh për letërsinë e sotme, e cila nuk i di ende prirjet e saj. Duhen parë se çfarë formulohet e jepet në tekstet shkollore shqiptare, pasi ne nuk e dimë se çfarë ofrohet në antologjinë shqipe në shkollë”, tha Lako.
Gazmend Krasniqi solli në vëmendje edhe problemet me trashëgiminë që kanë poetë të njohur shqiptarë, duke sjellë në vëmendje rastin e Fatos Arapit. Sipas tij, “Fatos Arapi bllokohet nga fëmijët e tij, ka probleme me trashëgiminë. Jam përpjekur të kontaktoj për antologji që kam punuar, por ka qenë e pamundur”, tha Krasniqi.
Sipas tij, duhet të ketë angazhime më serioze për antologjitë në një moment kur lexuesi botëror ka një vëmendje ndaj poezisë shqipe. Ai ka sjellë në kujtesë një përpjekje për të sjellë në gjuhë të tjera poetë si Migjeni, Mjeda, apo Lasgushi, që kanë qenë të papërkthyeshëm.
Poeti Laureat shqiptar, gjatë dy viteve të mandatit të tij, është duke përgatitur tri antologji të poezisë shqipe të periudhave të ndryshme, me mbështetjen e QKLL-së.