Politika Basha pret në seli dy socialistë të Durrësit që kaluan me opozitën

Basha pret në seli dy socialistë të Durrësit që kaluan me opozitën

Kryedemokrati Lulzim Basha ka pritur në zyrë dy ish-funksionarë të Partisë Socialiste në Durrës, Serian Mazreku, administrator të njësisë administrative Kënetë dhe Ardit Kërtusha, drejtor i planifikimit strategjik në bashkinë e Tiranës, të cilët kanë braktisur ish-partinë e tyre për t’u bërë pjesë e demokratëve para zgjedhjeve të 25 prillit.

“Kjo nuk është një lëvizje spontane, por një lëvizje e mirëmenduar. Ne presim të mos gjykohemi nga skutat e lëpirjes që ka sot në PS-në e Durrësit, por presim që të gjykohemi nga brezat e ardhshëm sepse kjo është një lëvizje për të mirën e vendit dhe të PS. Të heqim një drejtues që nuk mund të drejtojë më PS-në, e jo më Shqipërinë”, tha Mazreku.

“Durrësi ka nevojë për ndryshim. Më vjen mirë kur dëgjoj dhe takoj socialistë që duan të jenë pjesë e ndryshimit, të cilët e kuptojnë që pas 8 viteve premtimesh të pambajtura është e rrezikuar Shqipëria dhe PS”, tha Basha.