Paul Pogba dëshiron të largohet nga Manchester United këtë verë dhe klubi anglez nuk do të bëhet pengesë për transferimin e tij te Reali i Madridit.
Prestigjiozja franceze “L’Equipe” shkruan sot se ka qenë vetë mesfushori që ua ka thënë shokëve se ka ndërmend të ndryshojë ambient sapo të përfundojë sezoni.
26-vjeçari është një ndër futbollistët më të kritikuar tek Manchester United për formën me ulje-ngritje gjatë këtij sezoni dhe në rast se “Djajtë e Kuq” nuk do të marrin pjesë në Champions sezonin e ardhshme largimi i tij është i pashmangshëm.
Juventusi thuhet se është i interesuar të kthejë në Torino Pogbanë, por kostot për të marrë kampionin e botës janë të mëdha.
Zinedine Zidane e ka kërkuar me ngulm bashkëkombësin e tij edhe më parë, teksa presidenti Florentino Perez i ka vënë në dispozicion të buxhet të majmë për të rinovuar me “yje” organikën e Realit.
Zidane ka udhëtuar në Itali gjatë sezonit 2015-2016 për të ngrënë drekë me Pogbanë dhe për ta bindur atë për të shkuar në kryeqytetin spanjoll, por marrëveshja nuk u arrit për shkak të tensionit ndërmjet Florentino Perezit dhe agjentit të tij, Mino Raiola.
Drejtuesit e Manchester United tashmë janë bindur se ka ardhur momenti që Pogba të largohet dhe presin thjesht ofertën e duhur nga Reali që ky transferim i bujshëm të realizohet.