Pas kekut Melania, mjaltit Melania e madje edhe shapkave Melania, vendlindja sllovene e zonjës së parë amerikane tani ka edhe një statujë të bijës së saj më të famshme, pavarësisht se është një vepër që është pritur me reagime të ndryshme.
Një statujë në periferi të Sevnicës u inaugurua të premten dhe është vepër e artistit amerikan Brad Downey që thotë se është monumenti i parë në botë që i dedikohet bashkëshortes së presidentit amerikan, Donald Trump.
Skulptura është gdhendur në një trung peme dhe përshkruan Melanian në një fustan bojëqiell, me dorën e majtë të ngritur në formë përshëndetjeje, në një pozë që ajo e mori në ceremoninë e inaugurimit të të shoqit, në 2017.
Është pakëz naive në stil dhe kjo ka bërë që shumë kritikë në mediat sociale ta quajnë atë një dordolec që shërben për të trembur sorrat.
Që kur Donald Trump mori detyrën në 2017, Sevnica e fjetur është bërë një magnet për turistët dhe gazetarët që kërkojnë të rrëmojnë në të shkuarën e zonjës së parë amerikane.
Sipërmarrësit lokalë kanë përfituar nga kjo dhe ofrojnë një seri ushqimesh nën markën Melania e madje edhe një tur në zonë që përfshin ndalesa në vendet ku ajo është rritur.