Extra Policia franceze tregon pyetjet më të çuditshme që u janë bërë gjate...

Policia franceze tregon pyetjet më të çuditshme që u janë bërë gjate karantinës

Linja e telefonatave emergjente Francë

“A mund ta shpenzojë bashkëshorti im fundjavën me të dashurën e tij?” “Një i panjohur më përkëdheli kalin, a ka rrezik që ta ketë infektuar me koronavirus?”

Këto janë vetëm disa prej pyetjeve më absurde që i janë bërë policisë franceze, tek numri i emergjencave,  që nga fillimi i karantinës në vend.

Ato vijnë përmes linjës së emergjencës dhe policia thotë se thirrjet janë shumëfishuar gjatë 10 ditëve të fundit.

“Njerëzit na telefonojnë për çdo gjë dhe asgjë sepse janë mërzitur”,  tha një zëdhënës i xhandarmerisë franceze.

“Ata thjesht duan të bisedojnë”, shtoi ai.

Franca ndodhet në masa të forta izolimi që nga 17 marsi. Qytetarëve iu lejohet të largohen nga shtëpia vetëm për të bërë pazare, vizita mjekësore ose ushtrime fizike, nëse këto të fundit janë pranë banesës së tyre.

Në Dijon, një grua telefonoi “17” për të bërë një apel për ndihmë.

“Pas divorcit më në fund ia dola të gjeja dikë. Por ai jeton 25 kilometra larg shtëpisë time. Si mund të takohemi në karantinë?”, ka pyetur ajo agjenten e policisë.

Në Pikardi, një qytet në Francën e veriut, një polic ndaloi një qytetar më shumë se 50 kilometra larg banesës së tij. Ai u tha policëve se kishte dalë të blinte “cassoulet” (tavë franceze me mish dhe fasule).

Dikush tjetër la shtëpinë për të larë makinë. “Jo realisht një rast emergjent”, tha polici. “Kemi telefonata serioze për informacion”, tha ai. “Por kemi gjithashtu telefonata të ashtuquajtura “abuzive” në caqet e marrëzisë”.

“Kemi pasur një çift mjaft liberal që kërkonte të dinte nëse bashkëshorti mund të shpenzonte, si zakonisht, fundjavën me të dashurën!”, tha një polic. Por, ai shtoi, se është shtuar numri i telefonatave për dhunë në familje dhe problemet midis fqinjëve.

“Fqinji im del jashtë shumë shpesh”

“Kemi fluks thirrjesh çdo ditë pas edicionit të lajmeve të orës 8. Për pyetje që meritojnë të pyeten ose … nëse mund të hedhin mbeturinat gjatë kohës që janë në karantinë”, tha një polic tjetër.

“Këto thirrje vijnë ekskluzivisht për pyetje të tipit: Nxora qenin në mëngjes, a mund ta bëj edhe në mbrëmje?” tregon një oficer policie.

Por ka edhe thirrje nga telefonues që iu kallëzojnë policëve se më çfarë po merren fqinjët e tyre.

“Fqinji im po bisedon me shumë njerëz dhe nuk po e respekton izolimin” ose “ka shumë njerëz tek shtëpia e fqinjit tim”, tha një oficer policie nga Ardeche.