Bota Policia në Hong Kong, gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Policia në Hong Kong, gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Policia e Hong Kongut ka përdorur gazin lotsjellës në një protestë të paautorizuar në të cilën merrnin pjesë dhjetëra e mijëra njerëz.

Demonstruesit kanë marshuar në distriktin verior Yuen Long, duke dënuar një sulm mbi protestuesit pro demokracisë, nga persona të armatosur, që ndodhi javën e kaluar.

Policia është akuzuar se ka mbyllur sytë dhe se ka bashkëpunuar me agresorët, pretendime këto që vetë ajo e hedh poshtë.

Hong Kongu ka regjistruar shtatë javë protesta anti qeveritare dhe pro demokracisë. Protestat janë ndezur nga një projektligj i shumëdiskutuar që do të mundësonte esktradimet në kinë.

Qeveria e ka hedhur poshtë ligjin, por protestuesit tani kërkojnë një hetim mbi dhunën e policisë, reformën demokratike dhe dorëheqjen e lideres së territorit, Carrie Lam.

Marshimi i të shtunës ishte ndaluar nga policia, një lëvizje kjo shumë e pazakontë në territor ku zakonisht protestat lejohen. Policia tha se kishte refuzuar lejen për shkak se druante për përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe banorëve.