Toni po ashpërsohet në mosmarrëveshjen midis BE-së dhe Bjellorusisë për refugjatët. Lituania vendos gjendje të jashtëzakonshme në kufi.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki akuzoi Rusinë se e ka shkaktuar krizën. Ai tha se presidenti Putin ishte porosi-dhënësi, ndërsa udhëheqësi bjellorus Lukashenko ishte vetëm zbatuesi i përshkallëzimit të fundit. Ministria e Jashtme e Francës tha se Bjellorusia po nxit lëvizjen e refugjatëve me synimin për të destabilizuar BE.
Polonia paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë, ndërsa mijëra emigrantë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në Bashkimin uvropian.
Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’.
Qeveria e Minskut i hedh poshtë këto akuza. Lukashenko zhvilloi sot biseda telefonike me Putin. Të dy shprehën shqetësimin për vendosjen e trupave të rregullta polake në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.
Lituania vendos gjendje të jashtëzakonshme
Parlamenti i Lituanisë ka vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në zonën kufitare me Bjellorusinë. Ajo do të fillojë në mesnatë me orën lokale dhe të zgjasë një muaj. Më pas, kufitarët do të lejohen, ndër të tjera, të përdorin forcën për të parandaluar hyrjen e emigrantëve në Lituani.
Situata në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë mbetet e tensionuar. Sipas raportimeve, rreth 2.000 emigrantë mbahen atje dhe duan të arrijnë në BE përmes Bjellorusisë. Ata kishin tentuar të kalonin kufirin dje pa sukses. Polonia ka rritur forcat e sigurisë atje dhe ka mbyllur një postë kufitare aty pranë. Prej disa kohësh në rajon është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.
Edhe Komisioni Evropian dhe shumë shtete anëtare e kanë akuzuar sërish liderin bjellorus Lukashenko për sjelljen e qëllimshme të emigrantëve, për shembull nga Lindja e Mesme, në kufijtë e BE-së. Prandaj, vendet e BE-së duan të forcojnë sanksionet kundër atyre që janë përgjegjës në Bjellorusi, për shembull duke e vështirësuar lëshimin e vizave. Qeveria në Minsk i hedh poshtë këto akuza.
Bisedime mes Putinit dhe Lukashenkos
Presidenti i Bjellorusisë Lukashenko foli me kreun e shtetit rus Putin për situatën aktuale. Siç raportoi më pas Kremlini, të dy krerët e shteteve shprehën shqetësim të veçantë për vendosjen e trupave polake në kufi. Rusia fajëson Perëndimin për situatën e tensionuar.