Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar sot Ditën e Pavarësisë për shqiptarët si dhe ka përcjellë ngushëllimet më të thella për ata që humbën jetën nga tërmeti.
“Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë e Sekretarit të Shtetit Michael R. Pompeo në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Prej rënies së komunizmit tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet gjithnjë e më të fortë. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur. Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim udhëheqjen e Shqipërisë si Presidente e OSBE-së për vitin 2020”, thuhet në deklaratë.
“Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi”, shprehet ai.