Bota Pompeo zbut Danimarkën, telefonatë me homologun pas incidentit

Pompeo zbut Danimarkën, telefonatë me homologun pas incidentit

Në mesin e sherrit publik mbi Groenlandën që e shtyu presidentin Donald Trump të anulonte vizitën në Danimarkë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka dalë me lavdërime për këtë vend. Përmes telefonatës së bërë homologut danez, Jeppe Kofod, Pompeo u kujdes të shprehte vlerësim të lartë për bashkëpunimin me Danimarkën si aleat i Shteteve të Bashkuara, duke u përpjekur kësisoj të tregonte se raportet dypalëshe janë mjaft të mira pavarësisht incidentit.

Trump reagoi keq ndaj kundërshtimit që i bëri kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, idesë së tij, dhe e quajti “të ligë” shefen e ekzekutivit, që nga ana e saj e kishte cilësuar si “absurd” pretendimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë mbi territorin autonom danez.

Përpjekjet e presidentit amerikan, analistët i shohin si tentativë për të marrë nën influencë Artikun me potencial të madh zhvillimi dhe burime të bollshme natyrore. Interesi për rajonin polar që përfshin SHBA-në, Kanadanë, Norvegjinë e Danimarkën është shtuar ndjeshëm; së fundmi, deri edhe Kina, që nuk ka asnjë territor atje, ka nisur të shfaqë pretendime.

Trump-in tek Groenlanda e tërheqin në mënyrë të veçantë burimet me qymyr, zink, bakër e hekur, por ndonëse është e pasur me minerale, ajo varet nga Danimarka për dy të tretat e të ardhurave buxhetore, ndërsa ka një nivel të lartë papunësie, alkolizimi e vetëvrasjesh.