Nga Raimonda Moisiu
Nga shegert rrobaqepësie në drejtues i Amerikës
Andrew Johnson lindi më 29 Dhjetor, 1808, në një familje të thjeshtë punëtore, mes skamjes dhe fukarallëkut, në Raleigh të Karolinës së Veriut (North Carolina). Babai i tij, Jacob Johnson, një argat me mëditje u nda nga jeta herët, kur Andrew ishte veçse tre vjeç. Nëna e tij, Mary McDonough Johnson, bënte dy punë njëkohësisht; rrobaqepëse dhe rrobalarëse për të mbajtur dhe ushqyer veten, Andrew-në e vogël dhe tre djemtë e tjerë, por ajo nuk ishte në gjendje dhe nuk ia doli dot, t’i dërgonte në shkollë fëmijët e saj. Kur Andrew ishte afër të 14–ve, ai filloi punë si shegert te një dyqan rrobaqepësie. Teksa Andrew qepte gjithë ditën, një nga shokët e tij, edhe ai shegert, e mësoi atë të lexonte, por akoma Andrew nuk dinte të shkruante. Ai ishte një djalosh i pashëm dhe i hedhur, dhe pas një rrengu djaloshar të moshës, që i bëri pronarit të rrobaqepësisë, i frikësohej ndëshkimit të tij, Andrew arratiset dhe filloi punë si rrobaqepës profesionist në Laurens Court –House, në Karolinën e Veriut.
Ndonëse, ishte akoma në kërkim nga pronari i rrobaqepësisë, në moshën 17-vjeçare, Andrew u kthye për një kohë të shkurtër në vendlindje, në Raleigh. Tashmë në familje gjërat kishin ndryshuar; nëna ishte martuar përsëri. Andrew i kërkoi nënës dhe njerkut që të shkonin me të në perëndim dhe të fillonin jetën nga e para. Ata udhëtuan përmes Kalorinës së Veriut në një karrocë me rrota që tërhiqej nga një kalë qorr, me një sy. Ata u vendosën në Greeneville, Tennessee, matanë kufirit me Karolinën e Veriut.
Brenda një kohe të shkurtër Andrew Johnson hapi dyqanin e rrobaqepësit në Raleigh, ndërsa një vit më pas, ai martohet me vajzën bukuroshe 16- vjeçare, Eliza McCardle, bija e një shegerti këpucar, në Greeneville. Ngaqë vajza ishte disi e shkolluar, ishte pikërisht ajo që i mësoi shkrim, lexim dhe aritmetikën e thjeshtë, Presidentit të ardhshëm, Andrew Johnson. Ata patën pesë fëmijë, mes tyre edhe një djalë, i cili u vra më vonë si ushtar i Unionit gjatë Luftës Civile.
Andrew Johnson, një shegert- rrobaqepës, i cili nuk kishte qenë asnjë ditë në ndonjë klasë mësimi në jetën e tij, por kishte dhuntinë të fliste rrjedhshëm e lirshëm me mëncuri atë që ndjente. Ai filloi të ngjiste shkallët e karrierës politike, duke u mbështetur te njeriu i thjeshtë dhe i zakonshëm, sikundër ishte edhe vetë, shtresës sociale që i përkiste.
Andrew Johnson ishte njeri serioz, reflektonte qytetari dhe punëtor energjik si profesionist rrobaqepës. Karakteri i fortë dhe personaliteti i tij, impresionoi bashkëqytetarët dhe në moshën 19-vjeçare zgjidhet Anëtar i Këshillit Bashkiak të Greeneville (1828), Tennessee. Pasi shërbeu për gati dy vjet si anëtar e këshillit bashkiak, djaloshi 21-vjeçar i vlerësuar dhe nderuar gjithmonë nga bashkëqytetarët e tij, u zgjodh Kryebashkiak i Greeneville (1830-33). I njohur për oratorinë e tij dhe duke qenë pjesa më aktive e shoqërisë, veçmas në debatet publike, gjatë tre vjetëve si Kryebashkiak, dhe një përkrahës tradicional e fanatik i demokratit Andrew Jackson, -Johnson u bë mbrojtës i flaktë i të drejtave të punëtorëve. Në vitet 1835-37 dhe 1839-40 ai zgjidhet Anëtar i Parlamentit në Shtetin e Tennessee për dy mandate, dhe dy vjet më vonë si politikan i ri dhe optimist që po njihte progres të shpejtë, ai u zgjodh Anëtar e Senatit të Shtetit Tennessee (1841-43), dhe bëri emër si opozitar i fortë i aristokracisë së mbijetuar nga shteti.
Johnson ishte 34 vjeç kur u zgjodh për herë të parë Kongresmen në vitin 1843 dhe në vitet që pasuan, ai u rizgjodh katër herë deputet. Ai ndihmoi Presidentin Polk të shtypte Luftën me Meksikën, votoi për kompromisin e vitit 1850, dhe u orvat të kalonte ligjin për shtëpitë, me qëllim të ndihmonte fermerët të merrnin në përdorim, tokat e Perëndimit.
Ndërsa pas rishpërbërjes së shtetit prej Whigs, u bë e pamundur rizgjedhja e Andrew Johnson në Kongres, ai kthehet në Tennessee, dhe fitoi zgjedhjet si Guvernator, në vitin 1853. I njohur si “Guvernatori Zanatci”, Johnson vazhdoi të ushtronte zanatin e rrobaqepësit, qepte rrobat për veten e tij, dhe i bëri kostumin- dhuratë si shenjë miqësie, Guvernatorit të Kentucky-it. Denoncoi me forcë anti-katolikët e njohur si -Lëvizja “Agnostik”, dhe Andrew Johnson fitoi mandatin e dytë të Guvernator-it, i votuar prej shumicës, në vitin 1855-ë. Në Konventën Kombëtare të Demokratëve e vitit 1860, Johnson u propozua për zgjedhjet presidenciale nga shteti i Tennessee, por ai u tërhoq dhe bëri fushatë për zgjedhjen e John Breckinridge. Shumica aludoi se ai mund të ishte ndonjë separatist.
Kur Lincoln u zgjodh President, Johnson doli hapur dhe denoncoi lëvizjen separatiste. Ai deklaroi se i qëndronte besnik Union-it, ndërsa për separatistët ai u shpreh: “Unë do t’i kisha arrestuar të gjithë ata, dhe gjykuar për tradhëti, edhe nëse dënoheshin nga Zoti, ata duhet të dënoheshin nga ligji”.
Kur Tennessee iu bashkua Konfederatës, Johnson i qëndroi besnik fjalës së dhënë, por në Washington; ai tashmë duartrokitej si patriot në Veri, dhe cilësohej si tradhtar në Jug.
Pasi trupat veriore pushtuan Tennessee-në perëndimore dhe atë qëndrore në vitin 1862, Lincoln emëroi Andrew Johnson Guvernator të Ushtrisë të Shtetit Tennessee (Ministër i Mbrojtjes i Shtetit). Ai tregoi një mendësi të ndershme, i drejtë dhe i paanshëm, administrator i aftë dhe i zoti, dhe iu dha amnistinë ish-simpatizantëve të Konfederatës, por gjithashtu bëri përpjekje të aprovonte një amandament të Kushtetutës, për të nxjerrë jashtë ligjit, -Skllavërinë. Vetë shteti i Tennessee-së, në mënyrë specifike u përjashtua nga Emancipation Proclamation, dhe ishte i vetmi shtet, që i dha fund Skllavërisë me mekanizmat e veta. Në Konventën e Unionit Kombëtar në Baltimore, në qershor të 1864, delegatët zgjodhën Andrew Johnson të garonte për Zv/President i Presidentit Lincoln, dhe prezenca e demokratit Andrew Jackson në Konventë, e ndihmuan Lincolnin të merrte shumicën ndaj opozitarit demokrat, Gjeneral George McClellan. Në ditën e inaugurimit, në 4 Mars, 1865, Zv/Presidenti Andrew Johnson u shfaq i dehur, situatë që e vuri jo pak në pozitë të vështirë atë vetë dhe miqtë e tij. Disave prej tyre nuk iu pëlqeu aspak, dhe i sugjeruan Lincoln-it, se duhej të kërkonte dorëheqjen e Zv/Presidentit, Andrew Johnson!
Lincoln me humorin e tij të këndshëm dhe elokuent, i qetësoi ata, duke iu thënë se ai e njeh prej shumë vite Andy-in, dhe ai nuk është Pijanec!
Andrew Johnson hyn në histori si Presidenti i 17 i SHBA-ve, mbas vrasjes në atentat të Abraham Lincoln
Në mbrëmjen e 14 Prill-it, 1865, Presidenti i 16 i SHBA-ve, Abraham Lincoln u qëllua dhe u plagos për vdekje nga John Wilkes Booth.
Komplotistët kishin planifikuar të vrisnin edhe Zv/ Presidentin, Andrew Johnson, gjithashtu, por planet e tyre ecën keqas dhe nuk funksionuan.
Mëngjesin e 15 prill 1865, Zv/Presidenti Andrew Johnson, zgjohet herët nga një miku i tij, i cili i tregon për vrasjen në atentat të Presidentit Lincoln. I shqetësuar dhe i tronditur, Johnson shkoi menjëherë në dhomën e shefit të tij, ku e gjeti me plagë dhe i shtrirë pajetë në krevatin e tij. Pas një nate të gjatë e të lodhshme, deri në vigilje të ditës tjetër, Andrew Johnson u betua si Shefi i Ekzekutivit para Kryetarit të Gjykatës Supreme, Salmon P.Chase. Anëtarët e kabinetit u mblodhën në sallonin e hotelit të tij. Pra Andrew Johnson u shfaq në historinë e Amerikës, dhe mori mandatin presidencial, pas vrasjes në atentat të Abraham Lincoln, mandat që e mbajti për katër vjet.
Qëndresa dhe forca e karakterit të tij mposhti trysninë dhe presionin e Kongresit; konsolidoi presidencën dhe mbrojti ndarjen e pushteteve midis; legjislativit, ekzekutivit dhe degët e gjyqësorit. I zgjedhur Zv/ President nga Unioni Kombëtar më 1864, nga radhët e demokratëve dhe më pas si President- ai hyri në Shtëpinë e Bardhë, si rezultat i vrasjes se Abraham Lincoln, duke “fituar” kështu, armiqësinë e Republikanëve. Ai shprehej se Jugu-un, duhej ta shihnin si “mik opozitar kokëfortë”, dhe jo si “armik pushtues”, pra ishte i pari politikan amerikan që shpiku termin; “Opozitarë, por Vëllezër për Amerikën”!
Një nga arritjet më me vlerë të administratës Johnson, ishte shkëputja e Alaskës nga Perandoria Ruse, e cila iu dha zyrtarisht Amerikës, më 18 tetor 1867, përmes një amendamenti të ratifikuar nga Senati amerikan dhe u nënshkrua nga Presidenti i 17, Andrew Johnson. E njohur si “Kanali e ujrave të zeza” dhe “Frigoriferi i ujrave të zeza”, Alaska, cepi më verior i Amerikës, vërtetoi se vlente më shumë se çmimi $ 7.2 bilion, që u pat blerë.
I dyshuar dhe i vënë nën hetim, ngaqë nuk lejoi që Kongresi të uzurponte të drejtat presidenciale, Andrew Johnson, Presidenti i 17 amerikan arriti të shmangte dënimin, por jo largimin nga Kongresi vetëm me një votë të Senatit.
E largojnë nga Presidenca në vitin 1869, si një njeri i padëshiruar.
Me shpirtin luftarak, pasion dhe vendosmëri, për të vërtetuar se ai kishte qenë i drejtë dhe i përpiktë në aktet e tij si president, Johnson rikthehet në Tennessee dhe hedh kandidaturën për në Kongres në vitin 1869-w. Dështoi në këtë përpjekje, ai provoi dhe humbi përsëri edhe në vitin, 1872. Përfundimisht ai kthehet triumfalisht në zyrën e tij të hershme, në Uashington, 6 vjet më vonë, në vitin 1875-ë, si US Senator.
“Unë tashmë, ja arrita qëllimit dhe kam arritur majën e ambicieve të mija”,- u shpreh Johnson kur legjislativi i Shtetit të Tennessee e zgjodhi atë Senator.
Ai mori pjesë në Kongresin e 44 –në Mars të vitit 1875-w, kur Demokratët kishin Kontrollin e “House”, për herë të parë pas luftës Civile, dhe përforcoi së tepërmi pushtetin në Senat,
Si një demokrat i shtetit të Tennessee, ai ishte i vetmi Senator nga Jugu, që pasoi ndarjen e pushteteve.
Andrew Johnson mbajti të vetmen ligjëratë në Senat, duke ripohuar bindjen e tij për politikat e ngadalta e të buta të riroganizimit, që ai ishte përpjekur aq shumë për t’i institucionalizuar dhe kishte denoncuar politikat ndëshkuese të imponuara me forcë kombit nga Republikanët Radikalë. Ai u ndje disi i lehtësuar kur duartrokitjet shpërthyen, pikërisht në atë Dhomë të Senatit, ku ai ishte përpjekur t’i bindte ata, shtatë vjet të shkuara, kur ai ishte President.
Por, Johnson nuk e shijoi gjatë reputacionin e tij.
Në 31 Korrik 1875-ë, teksa ishte për vizitë te vajza e tij në Carter-Station, Tennessee, ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare, si pasojë e hemorragjisë cerebrale.
* “Referuar American Presidents”