Nga Çapajev Gjokutaj
Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, ka bërë dje një deklaratë emergjence. Ka thënë se, për të zgjidhur krizën aktuale, është gati të dorëhiqet nga posti i lartë.
Si të mos mjaftonte kjo, neë vazhdim e ka rritur temperaturën e ligjërimit dhe ka hyrë në zonat e patetikës kur ka deklaruar se, për të shmangur instalimin e juntës ushtarake është gati të vetsakrifikohet si Salvador Alende.
Është e vështirë të gjesh se përse zoti president foli për juntë ushtarake. Mos vallë shërbimet inteligjente e kanë njoftuar për përgatitje kladestine të një puçi nga ndonjë grup ushtarakësh të lartë?
Apo junta ushtarake ka hyrë në kumtim si një bashkëshoqërim automatik. Me një fjalë, me që përmendi Salvador Alenden, mekanikisht i ka ardhur në gjuhë sintagma ‘juntë ushtarake’.
Gjithsesi deklarata e presidentit ia arriti të tërhiqte vemendjen e mediave prestigjoze botërore. S’do mend që u bë fokus i rendësishëm edhe në mediat tona, madje nxiti edhe një varg leximesh, njëri më i ndryshëm se tjetri.
Deklarata ishte në tone emergjence, interpretonte një palë, nga që synonte të tërhiqte vemendjen e ndërkombëtarëve, aq të interesuar për stabilitetin në rajonin tonë të trazuar.
Përmendja e Alendes dhe e juntës ushtarake, thoshte një interpretim tjetër, nuk është e rastit. Do lexuar si një pakënaqësi ndaj ShBA-ve që deri tani s’e aprovojnë që s’e aprovojnë lenien e mandateve nga opzita.
Nuk e ka as me postin e as me ndërkombëtarët, thoshte një lexim i tretë. Doli e deklaroi se deputetë legjitim në parlament janë vetëm 82 vetë. Kjo e bën parlamentin të pamjaftueshëm për të vazhduar procedurat e reformës në drejtësi. Nuk u ofrua të negocionte dorëheqjen a, larg qoftë, vetsakrifikimin, shtonte ky lexim. Thjesht, përdor krizën e mandateve për të negociuar dhe vonuar reformën në drejtësi.
Tha se vetëm 82 deputetë janë të ligjshëm, shtonte një palë tjetër, në mënyrë që të ofrojë një bazë për një kompromis të ardhshëm mes maxhorancës dhe opozitës së vetpërjashtuar. Me që deputetët e rinj janë shtuar në mënyrë të paligjshme, mund të synohet ndonjë marrëveshje e tipit: qeveria lëshon, opozita kthehet në parlament se vendet s’janë zenë.
Pati edhe lexime të tjera, por unë e kam vështirë të gjej se cili është më pranë të vërtetës. Gjithsesi tonet patetike të deklaratës, me ndeshje dhemb për dhemb kundër juntës dhe me vetsakrifikim sublim, më kujtuan parimin se liderët politikë nuk para bëhen patetikë nga malli, por nga halli.
Gjithashtu më kujtuan se diku kam lexuar që liderët në Ballkan bëjnë çmos që të ngjajnë me heronj legjendarë. Harrojnë të gjorët se legjendat dhe përrallat fillojnë me frazën ‘na ish njëherë’.