De Ligt do të luajë për Juventusin, tani nuk ka më dyshime, por sipas raporteve nga “Mundo Deportivo”, bardhezinjtë janë rrezikuar seriozisht në përmbylljen e këtij operacioni nga Barcelona. Presidenti Bartomeu, në fakt, pak ditë më parë e ka telefonuar personalisht De Ligt dhe i ka kërkuar takim në Amsterdam, për ta bindur të ndiqte shokun e tij, De Jong, në Katalonjë.
19-vjeçari nuk e ka refuzuar takimin me Bartomeu, por në të njëjtën kohë kërkoi që presidenti i Barcelonës të informonte për atë që po ndodhte edhe menaxherin e tij, Mino Raiola dhe që të ishte ky i fundit ai që do të organizonte takimin.
Kështu, Bartomeu ka biseduar sërish me Mino Raiola në Holandë.
Ky i fundit ia ka prerë shkurt, se mund të diskutojnë vetëm me një kusht, që oferta e Barcelonës të përputhet me ofertën e Juventusit për të dhe për klientin e tij. Raiola, në fakt, në sajë të transferimit të De Ligt te Juventusi, do të përfitojë 11 milionë euro komisione, ndërsa mbrojtësi do të fitojë 12 milionë euro neto për sezon, duke përfshirë bonuset.
Në këtë pikë, pra, Bartomeu ka hequr dorë nga udhëtimi për në Holandë dhe është larguar nga gara për De Ligt përfundimisht, duke e lënë Juventusin të lirë. Me pak fjalë, 19-vjeçari është i “Zonjës së Vjetër”, tani mungojnë vetëm firmat në kontratë, kalimi i testeve mjekësore dhe prezantimi.