Zyra për shtyp e Presidencës ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratës së ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Në një status në rrjetet sociale, zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi thotë se tashmë është koha për “Rule of Law” dhe jo për “Rule of Embassy”.
“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtësi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar”, shkruan Blushi.
Më herët, ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi se mbështet dërgimin e çështjes së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor.