Bota Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani shpall fitoren mes shqiptarëve

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani shpall fitoren mes shqiptarëve

Ndonëse ende nuk është mbyllur zyrtarisht procesi i numërimit të votave, kandidati i BDI për president, Bujar Osmani, shpalli fitoren ndaj kandidatit tjetër shqiptar të koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Në një fjalim përpara mbështetësve, pas numërimit të më shumë se 75% të kutive, Osmani u shpreh se fitorja e tij është e thellë me rreth 40 mijë vota, teksa renditi dhe zonat ku është në avantazh.

“Kemi shënuar fitore në çdo komunë të vendit. Jegunovcë, Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçanë, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Bërvenicë, Dollnen, Resnjë, Strugë, Çashkë, Zelenikovë, Ohër dhe fitore në Tetovë, Saraj, Manastir, Çuçer Sandevë, Veles, Kërçovë, Karposh, fitore në Gostivar, Krushëvë, Kumanovë…në Çair, Qendër, Dibër gjithandej në Republikë, fitore e thellë e Frontit Evropian”, deklaroi Osmani.

Në renditjen e përgjithshme në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale Bujar Osmani renditet i treti, teksa Arben Taravari ndodhet i katërti me 10,35% të votave.

Ndërkohë, kandidatja opozitare e VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova është fituesja e raundit të parë të zgjedhje presidenciale në Maqedoninë e Veriut edhe pse nuk është numëruar ende dhe një pjesë e votave.

Pas përpunimit të më shumë se 75% të kutive të votimit, kandidatja proruse udhëheq me 35,37% të preferencave, ose më shumë se 125 mijë vota më shumë se kandidati rival në garë Stevo Pendarovski, i cili ka vetëm 19,25% të votave.

Ashtu edhe siç pritej, do të ketë një raund të dytë zgjedhjesh presidenciale në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, teksa vota e shqiptarëve do të jetë përcaktuese për kreun e ri të shtetit.

Në raundit e parë të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin të regjistruar 7 kandidatë, teksa më shumë se 1.8 milionë qytetarë kishin të drejtë vote.