Politika Presidenti Bajram Begaj nesër vizitë në Shkodër, zbardhet arsyeja

Presidenti Bajram Begaj nesër vizitë në Shkodër, zbardhet arsyeja

Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë ditën e mërkurë, më 5 Tetor 2022, një vizitë pune në qytetin e Shkodrës.

Kreu i Shtetit do të mirëpritet nga Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, si dhe do të zhvillojë takime me Prefekten e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, drejtues të Këshillit të Qarkut dhe Këshillit Bashkiak.

Presidenti Begaj do të vlerësojë me Dekoratën “Nderi i Kombit” Gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të tij.

Në qytetin e Shkodrës, Kreu i Shtetit do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, si në Myftininë e Shkodrës dhe në Kishën e Madhe, si dhe do të vizitojë Kishën Ortodokse. Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Begaj do të vizitojë Muzeun Fotografik “Marubi”. Presidenti i Republikës do të shoqërohet nga Zonja e Parë, Armanda Begaj gjatë kësaj vizite në qytetin e Shkodrës.