Aktualitet Presidenti Meta dekreton ligjin për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës

Presidenti Meta dekreton ligjin për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin për sigurimet shoqërore për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Krijimi i mundësive të përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri, është i vonuar. Mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të ketë asnjë barrierë që pengon qytetarët nga të dy anët e kufirit, të përfitojnë nga skemat e mbrojtjes shoqërore, duke respektuar parimin e trajtimit të barabartë, me synimin parësor për mirëqenien më të lartë dhe trajtimin më të mirë të tyre”, thuhet në njoftimin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Ndër të tjera, Meta dekretoi edhe ligjin për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit, që i hap rrugë lehtësimit të procedurave dhe të masave të lidhura me regjimin e trafikut kufitar lokal e të lejeve për këtë qëllim përgjatë kufirit.

“Për të mundësuar lehtësimin e qarkullimit të banorëve të zonave kufitare, nevojitet që autoritetet shqiptare të marrin masa për nxjerrjen e akteve rregullatorë në zbatim të marrëveshjes, duke shmangur çdo lloj burokracie”, njofton Presidenti.