Kryesore Principata e Topiajve

Principata e Topiajve

Dera shqiptare e Topiajve haset për herë të parë në një marrëveshje të Karlit I Anzhu me disa feudalë shqiptarë.

Në këtë dokument të botuar, krahas dyerve të tjera shqiptare përmendet kalorës (miles) Topia (Theopia). Në vitin 1338 nga kjo derë njohim Tanush Topinë, me titullin kont, i cili zotëronte në Mbretërinë e Arbërisë tokat prej Matit deri në Shkumbin.

Titullin kont ia ka njohur edhe Papa i Romës, pra Topiajt ishin të lidhur me besimin e ritit kristian latin gjatë shek. XIV. Gjin Muzaka në gjenealogjinë e hartuar më 1510 na përmend Andrea Topinë që rrëmbeu vajzën e Mbretit Robert Anzhu të Napolit.

Andrea Topia me francezen patën dy djem: Karlin dhe Gjergjin. Pasuesi i parë i Andreas vazhdoi të zotëronte territoret e babait në jug të principatës.

Dega tjetër e Topiajve, me Gjergjin në krye, në luftë për të mbijetuar ndaj shtetit të Venedikut, zotëronte fushat e Tiranës duke u shtrirë drejt veriut deri në portin e grykëderdhjes së Ishmit.

Stema e hershme e Topiajve është e kaltër me një luan të artë, të ngritur në dy këmbët e pasme, i cili mban një shpatë po të artë ngritur lart. Në këndin e djathtë të ballit është një zambak i argjendtë.