Instituti i Studimeve Politike (ISP) që drejtohet nga politologu Afrim Krasniqi ka përshëndetur vendimin e SHBA për shpalljen non-grata të Vangjush Dakos.
ISP shkruan se vendimi i DASH mban të ndezur shpresat se do të ketë edhe vendime të tjera të njëjta pasuese nga SHBA dhe qeveritë kryesore të BE-së, dhe se gjatë 2019 e sidomos më 2020-2021.
“Politikanët e korruptuar majtas e djathtas kanë qenë dhe janë pengesa kryesore e progresit, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian. Vetëm politika e pastër, transparente, llogaridhënëse dhe përfaqësuese përbën instrumentin e garancisë për demokraci funksionale dhe shtetin e së drejtës”, thekson ISP.
Qëndrimi i plotë:
Instituti i Studimeve Politike (ISP), si organizatë që monitoron ecurinë e procesit të dekriminalizimit, të transparencës dhe llogaridhënies në partitë politike, në parlament dhe në pushtetin lokal, – mirëpret vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për ndalimin e hyrjes në SHBA dhe për masa të tjera ndaj kryetarit në largim të bashkisë Durrës z.Vangjush Dako dhe familjes së tij, për shkak të përfshirjes së tij në një rast korrupsioni madhor. ISP mirëpret vlerësimin se SHBA po dërgon një sinjal të fortë në përkushtimin për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.
Vendimi i DASH mban të ndezur shpresat se do të ketë edhe vendime të tjera të njëjta pasuese nga SHBA dhe qeveritë kryesore të BE-së, dhe se gjatë 2019 e sidomos më 2020-2021, përmes strukturës së SPAK, zyrtarë e ish zyrtarë të lartë të përfshirë në akte të dukshme korruptive do të përballet më në fund me drejtësinë në Shqipëri.
Politikanët e korruptuar majtas e djathtas kanë qenë dhe janë pengesa kryesore e progresit, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian. Vetëm politika e pastër, transparente, llogaridhënëse dhe përfaqësuese përbën instrumentin e garancisë për demokraci funksionale dhe shtetin e së drejtës. Në këtë kuadër ISP apelon partitë politike të distancohen dhe të largojnë prej strukturave të tyre drejtuese të gjithë politikanët e përfshirë në kufizime të tilla dhe hetime për korrupsion, krim zgjedhor apo lidhje me krimin e organizuar, si dhe apelon Prokurorinë të ndërmarrë hetime serioze, gjithëpërfshirëse dhe profesionale në funksion të premtimit për drejtësi të re në një Shqipëri të re.