Një pritje madhështore ishte rezervuar për Donald Trump në Pekin, ku në aeroport kishte dalë ta priste homologu i vet kinez, Xi Jinping bashkë me të shoqen.
Nderime të tilla nuk i janë bërë asnjë presidenti tjetër amerikan, që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës.
Përpara mbërritjes, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk i kishte kursyer lëvdatat për Jinping dhe deklaroi se priste me padurim takimin me udhëheqësin kinez në vazhdën e triumfit të tij të madh politik.
Xi çimentoi tani vonë pushtetin gjatë Kongresit të Partisë Komuniste kineze, një lëvizje kjo që sipas analistëve e bën atë më pak të prirur drejt kompromisit, ndaj bisedimet me Trump – siç profetizojnë ata, – nuk kanë për të qenë të lehta.
Më herët, Donald Trump iu drejtua Koresë së Veriut me një paralajmërim të qartë, duke i kërkuar të mos i vërë në provë Shtetet e Bashkuara e duke dënuar atë që e quajti “një fantazi e errët” të jetës në vendin e izoluar komunist.
Komentet e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlamentin koreano-jugor.
“Kam shpresën se nuk flas vetëm për vendet tona, por për të gjitha kombet e civilizuara, kur i them Veriut se do ta mbrojmë deri në fund sigurinë tonë të përbashkët, begatinë që ndajmë mes nesh dhe lirinë tonë të shenjtë. Ne nuk do të lejojmë që Amerika apo aleatët tanë të shantazhohen, ose sulmohen. Nuk do të lejojmë që qytetet amerikane të kërcënohen me shkatërrim. Ne nuk do të frikësohemi dhe nuk do të lejojmë që mizoritë më të mëdha të historisë të përsëriten këtu, në këtë tokë ku luftuam e derdhëm gjak”, tha Trump.
Presidenti amerikan iu drejtua më tej udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un, duke i thënë se armët që po zhvillon nuk e bëjnë dot më të sigurtë dhe i nxiti shtetet e tjera të bashkojnë forcat për ndalimin e Penianit. Fjalët e tij u ndoqën me vëmendje të madhe nga ligjvënësit koreano-jugorë, por ndonëse retorikën e kishte të ashpër, nuk iu kthye sërish gjuhës bombastike kundër Penianit.