Të gjithë qytetarët mund të aplikojnë në shërbimin “e –Albania” për të marrë informacion mbi gjendjen dhe pronësinë e automjetit.
Ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve dhe subjekteve për të marrë informacion on-line rreth automjeteve që zotërojnë.
Në një njoftim në portalin e-Albania thuhet “Në rastin kur shërbimi shfaq: “Nuk ka të dhëna!”, arsyet e mosshfaqjes së të dhënave janë:
– Nuk ka automjete të regjistruara në pronësi të qytetarit/subjektit
– Ekzistojnë raste kur ka automjete të regjistruara në pronësi të qytetarit/subjektit, por në të dhënat e pronarit nuk është i regjistruar NID/NIPT i tij. Në këto raste lutemi që qytetari/subjekti të drejtohet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor për të regjistruar me NID/NIPT automjetin/et e tij”, thuhet në njoftim.
Dokumentacioni i nevojshëm
Dokument i identifikimit të kërkuesit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Hapat e procedurës
Për të përdorur shërbimin duhet të:
-Regjistroheni si qytetar ose si biznes në portal
-Zgjidhni shërbimin “Automjetet e mia”
– Klikoni butonin” Përdor” për të shfaqur informacionin rreth automjeteve që zotëroni.
Sipas portalit, shërbimi nga ana e qytetarëve do të merret menjëherë dhe është pa pagesë.