Greqia ka bërë sot një hap historik duke zgjedhur presidenten e parë femër. Parlamenti i Greqisë votoi që në raundin e parë për zgjedhjen e Katerina Sakellaropoulou si presidente e ardhshme të vendit.
63-vjeçarja fitoi mbështetjen e 261 deputetëve në parlamentin me 300 vende, falë edhe një pakti të heshtur mes qeverisë dhe opozitës. Në më pak se 24 orë më vonë, partitë e opozitës, në një shfaqje të rrallë uniteti, mbështetën kandidaturën e saj. Ajo u votua nga partia qeveritare Demokracia e Re, partia më e madhe e opozitës, SYRIZA dhe nga Lëvizja për Ndryshim (KINAL).
“Termi qytetar është i gjinisë mashkullore, por demokracia, Greqia dhe progresi janë gjini femërore. Dhe ky fakt na fton të bëjmë një hap të madh. Vlerësoj se është momenti që vendi ynë të ketë në postin më të lartë një greke të denjë”, deklaroi kryeministri Qiriako Mitsotaqis. “Ka ardhur koha që Greqia të hapë derën e së ardhmes”, shtoi kryeministri, duke theksuar se zgjedhja e saj mishëronte unitetin politik në Greqi.
Sakellaropoulou do të shërbejë 5 vjet duke filluar nga 13 Mars, kur përfundon mandati i presidentit aktual Prokopis Pavlopoulos.
Katerina Sakellaropoulou aktualisht mban detyrën e Presidentes së Këshillit të Shtetit, gjykatës më të lartë në Greqi.
Sakellaropoulou është një juriste në karrierë, pikëpamjet politike të së cilës janë shpesh në kundërshtim me estabilishmenin grek.
Por kush është Katerina Sakellaropoulou?
Sakellaropoulou lindi në Selanik në vitin 1956 dhe diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Athinës në 1978. Më pas ajo përfundoi studimet pasuniversitare për të drejtën kushtetuese dhe administrative në Universitetin Parisit. Në 1982 Skellaropoulou u emërua ndihmës Gjyqtare në Gjykatën Supreme Administrative, e njohur ndryshe si Këshilli i Shtetit.
Ajo u bë Këshilltare e Asociuar në 1988 dhe shërbeu në Dhomën e Tretë të Gjykatës, përpara se të zgjidhej si gjyqtare në Këshillin e Shtetit në vitin 2000. Në Tetor të vitit 2015 ajo u emërua Zëvendës Presidente e këtij Këshilli, por arritja e saj më e madhe do të vinte tre vjet më vonë. Në tetor të vitit 2018 Sakellaropoulou u zgjodh kryetarja e parë femër e Këshillit të Shtetit.
Ajo shërbeu gjithashtu si anëtare e Komisionit Qendror për Hartimin e Legjislacionit nga viti 1993 deri në vitin 1995 dhe dha mësim në Shkollën Kombëtare të Gjykatësve (2005-2014).
Nga 2013 deri në 2015-ën, ajo ishte Presidente e Bordit Disiplinor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Që nga marsi i vitit 2015, Sakellaropoulou ka qenë edhe Presidente e Shoqatës Helenike për të Drejtën e Mjedisit dhe ka punuar në mënyrë aktive në çështjet kryesore siç është devijimi i lumit Acheloos në Thesali dhe ruajtja e kampeve të refugjatëve në Athinë.
Sakellaropoulou njihet për pikëpamjet liberale, nismat pro-emigrantëve dhe qëndrimin pro-europian. Ajo ka hartuar dokumente të shumta për mbrojtjen e mjedisit dhe drejton një shoqatë mbi mbrojtjen e mjedisit.