Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot tabelën e përditësuar të kurbës së përhapjes së rasteve të infektuara me koronavirus midis shteteve.
Sipas tabelës së publikuar Shqipëria paraqitet në një nivel relativisht të mirë të përhapjes së virusit, krahasuar edhe me vendet e tjera.
Këndi i kurbës është pak më i lartë se rritja ditore me 10% e rasteve të infektuara, megjithatë krahasuar me vendet e tjera të botës dhe me rajonin, Shqipëria është në një pozicion mjaft të favorshëm.
Vetëm Kosova ka një trajektore më pozitive se ajo e Shqipërisë në rajon, duke qenë në nivele të përafërta me atë të Singaporit, i cili konsiderohet si një nga vendet që menaxhoi më mirë shpërthimin e pandemisë.
Një detaj tjetër që bie në sy është se megjithëse kurba e Shqipërisë ka nisur më lartë se disa vende të tjera ajo është sheshuar me kalimin e kohës. Kjo mund t’i atribuohet dy faktorëve; numri të paktët të rasteve në vendin tonë dhe, masave shtrënguese.
Deri tani Shqipëria ka 243 raste të konfirmuara me COVID-19 nga të cilat 52 janë shëruar dhe 13 kanë ndërruar jetë.