Disa dhjetra avionë luftarakë MIG-15 dhe MIG-17, të sjellë nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë nga Kina janë rradhitur si në një ekspozitë të hapur brenda bazës ajrore të Kuçovës. Ata janë dëshmi e armatimit “të rëndë” të Shqipërisë komuniste në epokën e Luftës së Ftohtë.
Por asnjë prej MIG-ëvë nuk fluturon më prej vitesh. I fundit që u ngrit në fluturim nga Rinasi i mori jetën pilotit Jani Tarifa në vitin 2004 dhe pak muaj më vonë, qeveria vendosi të ndalonte fluturimin e tyre.
Baza ajrore e qytetit të Kuçovës, që dikur mbante emrin Stalin për nder të diktatorit të Bashkimit Sovjetik, nisi të ndërtohej në fillim të viteve 1950 nga sovjetikët, të cilët ndihmuan në ngritjen e saj dhe trajnimin e pilotëve. Skuadrilja e parë me avionë luftarakë u krijua në vitin 1955, thuajse në të njëjtën kohë me krijimin e Paktit të Varshavës.
“Aviacioni ka qenë një nga krenaritë e ish-qytetit Stalin. Kishte diku 200 avionë, 35 kuadro, të gjithë të shkolluar jashtë vendit dhe mendoj që kjo krenari e dikurshme të shërbejë sot për të zhvilluar këtë qytet që është lënë pas dore,” thotë aviatori Viktor Vangjeli, sot 79 vjeç, i ulur në kafen e ish-Shtëpisë së Ushtrisë.
Aeroporti ushtarak i Kuçovës mund të kthehet në funksionim së shpejti, këtë herë për llogari të NATO-s, ku Shqipëria aderon prej 10 vjetësh. Aleanca e Atlantikut do të investojë 51 milionë euro për ta bërë bazën ajrore sërish funksionale. Ai pritet të përdoret kryesisht si bazë ndihmëse e Aleancës dhe punimet mund të fillojnë brenda këtij viti.
“Do të jetë një bazë, e cila zotëron kapacitetet e mbajtjes së avionëve luftarakë,” tha gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes këtë janar, Komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s gjeneral Tod D. Wolters.
Qyteti i ish-punëtorëve
Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e saj ajrore, i cili u njoftua në fillim në gusht 2018, ka trazuar prej muajsh përgjumjen e gjatë të qytetit të Kuçovës, që përndryshe vuan nga papunësia e theksuar dhe një mori problemesh të tjera.
Në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve në qendër të qytetit të Kuçovës vazhdojnë të mblidhen ish- naftëtarë, ish-drejtues ndërmarrjesh dhe ata pak ish-aviatorë të mbetur në qytet. Ndërsa luajnë domino e kalojnë ditët duke biseduar për këtë çështje, ata shpresojnë se investimi i NATO-s do të sjellë rilulëzimin e qytetit, i cili prej vitesh është kthyer në një vend ish-ndërmarrjesh dhe ish-punëtorësh.
Kafeneja dhe çka mbetur prej godinës po kalon ditë të vështira në përpjekje për t’i mbijetuar vetë-financimit, por njerëzit që rrinë aty kujtojnë se ajo ka qenë një nga krenaritë e kohës, ku kalonin kohën e lirë njerëzit më të njohur të qytetit.
“Në total 15 ndërmarrje, 11 prej të cilave ekomonike ka pasur dikur qyteti”, thotë Andrea Rafaeli, mësues në profesion. “Uzina e Përpunimit të Naftës, Uzina Mekanike e Shfrytëzimit, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TEC-i, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Artikujve Larës, Fabrika e Tullave, Shkolla e Mesme Politeknike, Aviacioni, Instituti i Naftës, të gjitha këto e bënin qytetin të lakmuar nga të gjithë,” thotë Andrea ndërsa shton se Kuçova sot është lënë krejtësisht pas dore.
Ai së bashku me bashkëshorten e tij, Elsa, e cila drejton një organizatë jo qeveritare, shpresojnë se qyteti mund të ringrihet dhe investimi i planifikuar i NATO-s i ka bërë më optimistë.
“Ndërmarrjet u mbyllën njëra pas tjetrës, intelektualët u larguan nga qyteti, trazirat e vitit 1997 na goditën rëndë. Punë sot nuk ka, të rinjtë pas shkollimit nuk kthehen në qytet dhe ne shpresojmë që investimi i NATO-s të rikthejë aktivitetin atje, ku do punojnë më shumë njerëz, do ketë shpenzime që do bëhen dhe në qytet, kjo na bën që ta shohim me optimizëm,” thotë Andrea.
Bashkëshortja e tij është nostalgjike për qytetin, që sipas saj ka pasur dikur “qytetari mjaft të lartë”, pasi të gjithë drejtuesit e ndërmarrjeve, uzinave, pilotët ishin të shkolluar jashtë vendit.
“Të dy fëmijët e mi pas studimeve nuk u kthyen më në qytetin e tyre, ndonëse Kuçova ka një klimë shumë të mirë, lundron në pasuri tokësore si nafta, por sot shumë pak banorë e shohin qytetin me optimizëm dhe duan të largohen. Por unë shpresoj se investimi i NATO-s”, do na rikthejë ndriçimin e dikurshëm të qytetit,” thotë ajo për BIRN.
Shpresa te NATO
Vizita e Komandantit të Komandës Ajrore të NATO-s, gjeneral Tod Wolters në Tiranë këtë Janar në lidhje me investimin e pritshëm ka shtuar shpresat tek banorët. Wolters tha gjatë vizitës se për NATO-n, baza ishte e rëndësishme.
“Do të jetë një repart, i cili zotëron kapacitetet për të mbajtur burimet e për të vëzhguar fushën e betejës, si dhe do të jetë një repart, i cili zotëron kapacitetet për të mbajtur mjetet e Komandim-Kontrollit të organizmave të ndryshëm që hyjnë e dalin në Shqipëri,” tha ai gjatë vizitës në Tiranë.
I trajnuar për të fluturuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, Viktor Vangjeli, nostalgjik i ditëve kur qyteti flinte e zgjohej me zhurmën e avionëve, e sheh këtë investim me optimizëm. “Kuçova, Shqipëria merr një rëndësi strategjike me këtë investim të NATO-s në Aviacionin Ushtarak”, thotë pë BIRN Vangjeli, i cili ka qenë aviator dhe për shumë vite dhe Komisar Regjimenti pranë Aviacionit përgjatë viteve 1963-1990.
Ai shpreson se kështu Shqipëria do të mund të zhvillojë sërish pilotimin dhe do të ngrejë në ajër avionët e saj. Ndërsa investimi i NATO-s sipas Vangjelit mund të zgjojë interesin e të rinjve për mos të ikur nga Shqipëria, dhe pse jo, për t’u bërë pilotë si ai dikur.
Me optimizëm e shohin investimin në bazë dhe drejtuesit lokalë. Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Selfo Kapllani i tha BIRN se vënia në punë e bazës shihet si potencial zhvillimi për rajonin, Kuçovën dhe me gjerë.
“Rikthimi i aviacionit në qytetin, ku dikur ka pasur shtëpinë e vet është shumë i rëndësishëm, pasi njerëzit në Kuçovë ndër vite janë rritur së bashku me avionët reaktivë,” tha ai.
Ai beson se investimi do krijojë mundësi të zhvillimit ekonomik si dhe të punësimit, sidomos në shërbimet mbështetesë të infrastrukturës, gjallërimin e bizneseve, lokaleve, të hotelerisë e zhvillimt të bujqësisë. “Pasi kërkesat në treg do të jenë më të shumta,” shtoi kryetari i bashkisë.
Përzgjedhja e Kuçovës si bazë nuk e ka habitur Vangjelin.
“Që në 1938 është bërë studimi për ndërtimin e Aviacionit dhe kushtet meteorologjike, hapësira për avionët, por dhe për asetet e tjera ndihmëse ishte e mjaftueshme, ndaj u vendos që të ndërtohej në Kuçovë dhe në 5 Maj të vitit 1955 u hap fillimisht me avionët e parë Mig 15, në 1967 me Mig 17 dhe 1970 me Mig 19,”kujton Vangjeli.
Kushtet meteorologjike i mburri edhe Wolter gjatë vizitës në Tiranë.
“Gjithashtu është një pozicion gjeografik që na ofron neve mundësi shumë të mira atmosferike të motit duke mundësuar ngritjen dhe uljen çdo ditë të avionëve në Kuçovë, falë kushteve natyrore atmosferike të shkëlqyera,” tha ai. Komandanti i Forcës Ajrore po ashtu e sheh bazën si një pozicion strategjik në Ballkan.
Pranë Bazës Ushtarake të Kuçovës lëvizjet janë si gjithmonë të kontrolluara dhe leja për hyrje dhe dalje jepet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes.
Aeroporti zë një sipërfaqe prej rreth 310 ha dhe ndodhet në hyrje të qytetit. Aty ende nuk ka nisur të lëviz asgjë në lidhje me investimin e pritshëm, por për ushtarakët që hyjnë dhe dalin, por që nuk pranojnë të flasin pa leje, investimi jep shpresa.
“Baza do të kthehet në një prej pikave kyçe të NATO-s në rajon. Investimi pritet të modernizojë bazën me teknologjinë e fjalës së fundit,” tha një oficer, duke kërkuar të mos i përmendej emri./BIRN