Presidenti amerikan Donald Trump publikoi transkriptin e telefonatës mes tij dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të hedhur poshtë pretendimet e demokratëve se ka ushtruar presion dhe ka premtuar shpërblime ndaj Ukrainës nëse hetonte kandidatin për President Joe Biden.
Por edhe pse në telefonatë nuk shprehet qartë ky synim i Trump dhe në pamje të parë nuk ka asnjë bazë për të kërkuar shkarkimin e tij, disa fjali në bisedën mes dy liderëve tregojnë çfarë mendon vërtet Trump për kolegët e tij europianë, por edhe shpejtësinë me të cilën komediani ukrainas është shndërruar në një politikan të mirëfilltë.
Në përpjekje për ta bindur që të bashkëpunojë, Trump i thotë Zelensky-t se Shtetet e Bashkuara kanë bërë aq shumë për Ukrainën ndërsa vendet europiane nuk kanë bërë asgjë. “Gjermania nuk bën thuajse asgjë për ju. Vetëm flasin. Kur u takova me Angela Merkel ajo foli shumë për Ukrainën, por nuk bën asgjë. Shumë vende të tjera europiane janë njëlloj”, thotë Trump. “Keni 1000% të drejtë”, i përgjigjet Zelensky.
Duke i premtuar hetime të plota për aludimet se prokurori i çështjes ku ishte i përfshirë djali i ish-Zv.Presidentit Biden kishte pasur presione për ta mbyllur atë, Zelensky i thotë Trump: “Duke qenë se ne kemi fituar shumicën absolute në Parlament, Prokurori i Përgjithshëm i ardhshëm do të jetë 100% njeriu im, kandidati im. Ai ose ajo do ta hetojë çështjen”.
Zelensky shfaqet në telefonatë si shumë i zellshëm për t’i bërë përshtypje Presidentit amerikan, duke i thënë se kur ka vizituar Nju Jorkun ka fjetur në Kullën Trump, ndërsa në fund e fton Turmp për një vizitë në Ukrainë. “Besoj se në 1 shtator do të jeni në Poloni. Nga aty mund të jetë një ide shumë e mirë për të udhëtuar drejt Ukrainës. Mund të marrim avionin tim, ose mund të marrim avionin tuaj, që me siguri është më i mirë se i imi”, thotë Zelensky.