Aktualitet Prokuroria: 75 të arrestuar për pengimin e zgjedhje

Prokuroria: 75 të arrestuar për pengimin e zgjedhje

Prokuroria për Krimet e Rënda ka publikuar mbrëmjen e sotme bilancin e gjithë personave të arrestuar dhe të ndaluar në gjithë vendin për veprime që prekin zgjedhjet e 30 qershorit.

Sipas informacionit që u administrua nga Prokuroritë e Rretheve dhe Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, deri në këtë moment, rezulton se numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të fushatës së zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, është gjithsej 12 procedime me 75 persona të arrestuar/ ndaluar.

Konkretisht:

1.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka regjistruar, 2 (dy) procedime penale që lidhen me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira:

-Procedimi penal nr. 1183 datë 14.06.2019, me 7(shtatë) persona të arrestuar nga policia gjyqësore për veprat penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, parashikuar respektivisht nga nenet 262, 293, 325 e 25 të Kodit Penal,

-Procedimi penal nr. 1250 datë 26.06.2019, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal me 1 (një) person nën hetim;

2.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka regjistruar 3(tre) procedime penale, që lidhen me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira:

-Procedimi penal i vitit 2019 për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pronës” e parashikuar nga neni 152/1 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Për këtë procedim janë arrestuar 5(pesë) persona, ndërsa 2 (dy) persona janë ndaluar me iniciativë nga policia gjyqësore. Sa ju përket masave të sigurimit, rezulton se 4 (katër) janë me masë sigurimi “arrest në burg”, 2 (dy) me masë sigurimi “arrest shtëpie”, dhe 1 (një) person me masë sigurimi “detyrim për paraqitje”.

-Procedimi penal nr. 983 i vitit 2019 i regjistruar për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, parashikuar nga neni 326/a/1 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik” parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Lidhur me këtë procedim penal janë arrestuar 14 (katërmbëdhjetë) persona. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.

-Procedimi penal nr. 987 viti 2019 i regjistruar për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik” parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal, dhe “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore” parashikuar nga neni 326/a/1 i Kodit Penal. Nuk ka akoma persona nën hetim.

3.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 21.06.2019, ka regjistruar 1 (një) procedim penal në ngarkim të 3 (tre) personave të arrestuar në flagrancë, të dyshuar për kryerjen e veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” parashikuar nga neni 326/a/2 të Kodit Penal.

4.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë më datë 19.06.2019, ka regjistruar 1 (një) procedim penal, nr.91, në ngarkim të 7 (shtatë) personave të arrestuar në flagrancë dhe 2 (dy) personave të ndaluar, për kryerjen e veprave penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestim të paligjshme” parashikuar nga nenet 326/a/2, 236, 262 të Kodit Penal. Lidhur me masat e sigurimit rezulton se për 3 (tre) prej tyre është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditor për 3 (tre) persona masa e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe për 3 (tre) persona, masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”.

5.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, më datë 20.06.2019, mbi bazën e materialit të dërguar nga Komisariati i Policisë Mat, ka regjistruar 1 (një) procedim penal, nr. 92 në ngarkim të 10 (dhjetë) personave të arrestuar në flagrancë, dyshuar për kryerjen e veprave penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestim të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” të parashikuara nga nenet 326/a/1, 236/2, 262/1 dhe 274 të Kodit Penal. Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat aktualisht, po hetohen 2 (dy) persona me masë sigurimi “Arrest në burg” me afat 30 ditor; 4 (katër) persona me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” dhe 4 (katër) persona me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

6.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka regjistruar më datë 20.06.2019 1 (një) procedim penal, nr.243, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 150, 25 i Kodit Penal, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262/2 i Kodit Penal. Në referim të ngjarjes nga shërbimet e policisë janë arrestuar 8 (tetë) persona për të cilët u vendosën masat e sigurimit si më poshtë; për 4(katër) persona masa e sigurimit “arrest me burg”, 2 (dy) persona me masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe 2 (dy) persona me masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

7.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1 (një) procedim penal në ngarkim të 2 (dy) personave të arrestuar në flagrancë për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, parashikuar nga neni 325 e 25 të Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.

8.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1 (një) procedim penal në ngarkim të 12 (dymbëdhjetë) personave të arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 326 dhe 236/2 të Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.

9.Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1(një) procedim penal në ngarkim të 4 (katër) personave, 3 (tre) të arrestuar në flagrancë dhe 1(një) i shpallur në kërkim policor, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.

Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Gjirokastër, Durrës, Berat, Lushnjë, Krujë, Sarandë, Kurbin, Pukë dhe Vlorë, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit.