Një person është arrestuar nga policia me urdhër të SPAK si person i dyshuar që bënte thirrje dhe propagandë për vepra terroriste.
Në pranga ka rënë i dyshuari me iniciale G.Ç. Ndaj tij është vendosur masa e sigurisë arrest në burg për veprën penale Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.
Hetimi është bërë nga SPAK në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të Antiterrorit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr.196/2021, pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë se Antiterrorit, i është është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal’’arrest në burg’’ parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim G. Ç. pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka kryer veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 232/a i Kodit Penal.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 31 datë 11.04.2023 ka vendosur ndaj këtij të hetuari masën e sigurimit personal ‘’arrest në burg’’.
Ky vendim është ekzekutuar në datën 12.04.2023”, thuhet në njoftimin e SPAK.