Aktualitet Propozimi i Mitsotakis, çfarë po ndodh me pasaportën e vaksinimit

Propozimi i Mitsotakis, çfarë po ndodh me pasaportën e vaksinimit

Ideja e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për një pasaportë vaksinimi që lejon udhëtimin lirisht në gjithë botën për të imunizuarit ka hyrë me ritme të shpejta në rrugën e realizimit ende pa nisur hedhja e hapave ligjorë nga qeveritë.

Gjigantë të teknologjisë së lartë si Microsoft, Oracle, Salesforce, etj, janë shprehur të gatshëm për të zhvilluar një pasaportë dixhitale vaksinimi, që garanton ruajtjen e të dhënave të personave të vaksinuar.

Të mbledhur rreth koalicionit “Nisma për Kredencialeve të Vaksinës” ata thonë se janë të gatshëm për një aplikacion celularësh, të cilin të vaksinuarit mund ta përdorin në çdo vend ku i nevojitet për të dëshmuar se nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e infeksioneve, përfshirë aeroportet e sallat e koncerteve.

Ministri i Jashtëm gjerman Haiko Maas mbështeti publikisht idenë e lehtësirave për të vaksinuarit, duke propozuar që përmes këtyre aplikacioneve, ata të lejohen të hyjnë lirisht në kinema, kafene dhe muze.

Skeptikët thonë se aplikacionet mund të shndërrohen në burime të rrjedhjes së të dhënave personale në duart e palëve të treta si hakerat, apo grupet e interesit që do t’i keqpërdorin.

Ndërsa OBSH thotë se pasaporta e vaksinimit është e parakohshme përderisa efektshmëria dhe kohëzgjatja e imunitetit të vaksinave është e mbuluar me shumë paqartësi.

Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha të dielën se ndërsa një “pasaportë vaksine” Covid-19 mund të aplikohet, nuk ishte momenti i duhur për ta bërë këtë. “Nëse futet shumë herët, kjo mund të prodhojë zhgënjim gjigant në Europë dhe jashtë saj”, tha Michel.

I pyetur nëse në të ardhmen, udhëtimi në të gjithë BE-në do të ishte i mundur vetëm për njerëzit që kishin marrë vaksinën, Michel tha se “nuk përjashtoj asgjë”.