Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka ndryshuar axhendën e Kuvendit për ditën e hënë, duke spostuar me një orë më herët seancën parlamentare.
Në vendimin e mëparshëm të Konferencës së Kryetarëve, ishte parashikuar që debati për Komisionin hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit, Ilir Meta të niste në orën 18:00, por duke qenë se opozita vendosi që të hënën të zhvillojë një protestë kombëtare, Ruçi ka vendosur të përshpejtojë orarin për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme.
Ruçi ka vendosur që diskutimi të nisë në orën 17:00 dhe të përfundojë gati një orë para nisjes së protestës së PD-së.
“Bazuar në Urdhrin e Kryetarit të Kuvendit nr. 24, datë 4.7.2019 Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare datë 8 korrik 2019, ora 17:00 me këtë rend dite: Shqyrtimi i raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe propozimit të Komisionit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës z. Ilir Meta” thekson urdhri i sotëm i Ruçit.