Partia Demokratike ka vendosur ta vijojë protestën e sotme sipas njërit prej versioneve që kishte parashikuar edhe media. Pas një proteste ndër më të mëdhatë e saj, PD ka vendosur të qëndrojë në shesh deri në momentin që Qeveria Rama bie dhe zëvendësohet me një qeveri teknike. Argumentimi politik i PD nuk është i ri. Sipas saj, në kushtet kur reforma zgjedhore nuk ka mundësi të bëhet me sugjerimet e opozitës; në kushtet e një fuqizimi të krimit dhe botës së kanabisit; në kushtet e një parlamenti të mbushur me njerëz të lidhur me krimin, PD i sheh zgjedhjet me këtë qeveri të pamundura. Ajo mendon se e vetmja mënyrë për të kompensuar reformën e munguar zgjedhore është një qeveri teknike, garante për të gjithë.
Natyrisht, vendimi i PD nuk është i lehtë dhe në kalkulimin politik nuk mund të krahasohet me atë të PS në Prill 2010 kur ajo hyri në grevë urie. PS në atë kohë ishte në vitin e parë pas zgjedhjeve, ndërsa PD është vetëm 4 muaj prej tyre. Vendimi i Bashës për të radikalizuar situatën, për t’ju drejtuar protestës dhe për ta gjetur zgjidhjen përmes saj, ka një pikë të panegociueshme. PD nuk mund të dështojë sepse dështimi 4 muaj përpara zgjedhjeve është i parikuperueshëm dhe do të jetë fatal për të. Duke qenë fatal për PD, ai mund të bëhet shumë kollaj fatal edhe për zgjedhjet e lira dhe balancën e nevojshme politike në vend. Në këtë kontekst Basha ka vënë një bast të vështirë, por edhe me një rrugë të vetme, atë të ecjes përpara. Ai nuk ka më kthim mbrapa dhe duhet të japë protestës përmasa masive që të arrijë objektivin e saj.
Por vendimi i PD për të qëndruar në shesh deri në krijimin e një qeverie teknike, shërben edhe si një ftesë në distancë për LSI. Tani është rradha e Ilir Metës. 7 muaj më parë ai u shpreh se ishte gati të mbështeste një qeveri teknike për t’i dhënë besueshmëri zgjedhjeve. Tani që PD e ka kthyer këtë në kushtin kryesor të 18 Qershorit, Meta duhet të prononcohet nëse i qëndron premtimit të tij apo e hedh poshtë atë. Pra nëse është dakort me kushtin e PD, apo do të vijojë të qëndrojë në qeverisje duke e konsideruar si një kusht radikal. Me procesin e dekriminalizimit numrat me gjasë janë trazuar sërish në parlament dhe qëndrimi i Metës mund të rezultojë këtë herë deçiziv.
Nuk dihet nëse LSI do reagojë dhe nuk dihet se sa Basha do ta ndezë zjarrin e protestës në vend. Por një gjë nuk duhet ta harrojmë. Pavarësisht suksesit apo jo të PD, protesta në vetvete është dinjitet. Sa më shumë të protestojnë shqiptarët aq më e mirë bëhet kjo shoqëri; aq më të kujdesshëm bëhen ata që qeverisin; aq më shumë e ndjejnë përgjegjësinë përpara publikut. Popujt dinjitozë dinë të protestojnë; popujt e nënshtruar duartrokasin. Midis të dyjave personalisht në çdo rrethanë do kisha zgjedhur të parën.