Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mori fjalën në protestën e opozitës, në një moment tensioni ku turma po tentonte çante kordonin e policisë dhe i drejtoi një mesazh të koduar aleatit të saj, Lulzim Basha.
Duke theksuar se djegia e mandateve ishte një “mea-culpa” e opozitës për tolerimet që i ka bërë Edi Ramës në 6 vite, Kryemadhi i kujtoi Bashës se ai ka bërë shumë gabime në të shkuarën.
“Kemi shumë punë për të bërë. Ne kemi bërë shumë gabime si opozitë. Duke filluar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha”, tha kryetarja e LSI, duke iu referuar këtu marrëveshjes së 17 Majit 2017 midis kreut të PD dhe Edi Ramës.
Ndoshta paralajmërimi i Kryemadhit për Bashën me subjekt “mospërsëritjen e gabimeve” lidhet edhe me lëvizjet nën rrogoz të kryetarit të PD, që media ka zbuluar së fundmi.
Kujtojmë se vetëm në protestën e javës së shkuar të opozitës u përfol për një takim Basha-Rama në aeroportin e Vjenës, ndërkohë që dy ditë më parë lideri i opozitës raportohet të ketë shkuar fshehtas në zyrën e Presidentit Ilir Meta.
Më tej, Kryemadhi ka pranuar gabimet e saj se ka mbyllur sytë e veshët para zullumeve të kryeministrit Rama në të shkuarën.
Ajo tha se djegia e mandateve të opozitës ishte përgjegjësi e plotë e deputetëve që morën përsipër të jenë njësh me popullin, “e vetmja mundësi për të treguar se interesi publik është më i rëndësishëm se 5 njerëz që drejtohen nga Rama”.
“Ne të gjithë politikanët kemi fajin tonë, që herë pas here kemi mbyllur sytë e veshët para gabimeve e zullumeve të Ramës, por të reagojmë më mirë vonë se kurrë për fëmijët e të ardhmen e shqiptarëve, – u shpreh Kryemadhi. – Asnjë prej jush këtu nuk është punësuar, asnjë prej jush këtu, nuk ka pasur asnjëherë të vetme qoftë edhe një zgjidhje të vetme kur ata kanë trokitur në dyert e shtetit të Ramës. Dëgjojmë ndërkombëtarë që vijnë e kanë të drejtë kur shohin kulla të larta e të shtrenjta, që nuk janë bërë me paratë e pastra të bizneseve shqiptare, por janë bërë me paratë e drogës e krimit”.