Protesta të mëdha paqësore, kundër dhunës së policisë, u mbajtën në qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara, për të 12 ditë radhazi pas vdekjes së George Floyd.
Mijëra persona marshuan në Washington DC në një nga manifestimet që qëndroi vetëm pak metra Shtëpisë së Bardhë, e blinduar nga forca të shumta sigurie.
Protestuesit me pankarta në duar mbushën sheshet pranë Kapitolit, memorialit “Lincol” dhe parkun “Lafayette”, i cili tashmë ka marrë dhe emrin sheshi “Black Lives Matter”.
Turma të mëdha njerëzish pati dhe në New York, Chicago, LA dhe San Francisco.
Trump: Prisja më shumë popull në rrugë
Në lidhje me protestat ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili e ka blinduar atë me forca të shumta policore shkruan: “Ligj dhe Rregull” në përgjigje të turmës që nuk është dakord me përdorimin e dhunës nga uniformat blu”.
Madje ai shkon me tej duke shtuar mërinë e protestuesve kur shkruan se “Turma është shumë më e vogël nga ajo që parashikohej në Washington”.
Trump falënderoi edhe një herë Rojën Kombëtare, Shërbimet Sekrete dhe Policinë e rajonit të Colombia për punën e tyre fantastike sikurse e cilëson presidenti.
Mediat amerikane, ndërkohë publikuan të dhëna ditën e sotme sipas të cilave Trump ka kërkuar nxjerrjen e 10 mijë ushtarëve në rrugë për të shpërndarë turmat protestuese, por sipas të njëjtave media, kjo kërkesë e tij është kundërshtuar nga sekretari për Mbrojtjen, Mark Esper dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Mark Milley.
George Floyd ndërroi jetë në Minneapolis më 25 maj gjatë arrestimit nga policia. Një video e publikuar në rrjet tregoi se një oficer policie i mori jetën duke i mbajtur gjurin në qafë për më shumë se 9 minuta. Sipas autopsisë, ai vdiq nga asfiksia.