Kryesore Protesta para SPAK e mbështetësve të Veliajt, Bardhi akuzon: Policia ka braktisur...

Protesta para SPAK e mbështetësve të Veliajt, Bardhi akuzon: Policia ka braktisur prokurorët e gjyqtarët, krim shtetëror

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se braktisja nga Policia e Shtetit e gjyqtarëve dhe prokurorëve në krye të detyrës është krim i rëndë shtetëror.

Komentet Bardhi i bëri përmes një reagimi në rrjetet sociale, lidhur me protestën që po zhvillohet ditën e sotme para SPAK për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Bardhi u ka bërë thirrje uniformave blu që të ndalojnë zbatimin e urdhrave që sipas tij janë të paligjshëm dhe të qëndrojnë me përkushtim në krye të detyrës.

Reagimi i Bardhit:

Braktisja nga Policia e Shtetit e gjyqtarëve dhe prokurorëve në krye të detyrës është krim i rëndë shtetëror!

Mosprezenca e Policisë së Shtetit në grumbullimin e paligjshëm të punonjësve të Bashkisë së Tiranës në GJKKO dhe SPAK, është një akt i paprecedent presioni nga pushteti.

I bëj thirrje punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit, që të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm dhe jenë në krye të detyrës, me përkushtim ndaj Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Edi Rama duhet të heq dorë menjëherë nga metodat kriminale të presionit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo shteti privat i mafiozit Edi Rama!