Bota Provokimi i Rusisë në hapësirën e NATO-s, avioni rus “sfidon” bombarduesin amerikan

Provokimi i Rusisë në hapësirën e NATO-s, avioni rus “sfidon” bombarduesin amerikan

Një tjetër incident ka ndodhur disa ditë më parë në qiellin e Europës Perëndimore, që për të disatën herë ka një shkaktar të përbashkët, Rusinë.

Incidenti i fundit i avionëve rusë me ato të NATO-s ka ndodhur ditën e premte, por vetëm ditën e djeshme Pentagoni ka publikuar pamjet e filmuara nga një bombardues B-52 amerikan që po fluturonte sipër Danimarkës, në ishullin Bornholm, 90 milje nga kryeqyteti Kopenhagen.

Pamjet janë të qarta dhe tregojnë një avion Su-27, një nga mjetet më moderne të ushtrisë së Moskës, teksa i afrohet bombarduesit amerikan jo më larg se 15 metra, në një akt sfide që tashmë po përsëritet me ritme shqetësuese.

Sipas deklaratave të NATO-s, incidenti paraqitet shqetësues sepse avioni rus ka thyer pa asnjë paralajmërim kufirin shtetëror të një vendi sovran si Danimarka, njëkohësisht edhe një hapësirë e kontrolluar nga NATO.

Moska mohon këtë mundësi, duke deklaruar se avioni ka kaluar në një korridor ndërkombëtar, duke mos thyer asnjë rregull, por rastet po ndodhin me frekuencë të tillë që nuk lënë dyshime për një strategji që si synim të dukshëm ka të mbajë të lart tensionin.

Pika strategjike e Kaliningradit

Avioni rus u ngrit nga baza ushtarake e Kaliningradit, enklava ruse midis Polonisë dhe Lituanisë që gjithmonë e më shumë po shndërrohet në makth për NATO-n, nga afërsia që i lejon avionëve të Moskës të arrijnë në pak minuta në të paktën 8 kryeqytete europiane.