Ditën e shtunë, Partia Sosialiste do të publikojë emrat e kandidatëve që do të garojnë për kryetarë bashkish, në prag të zgjedhjeve lokale.
Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e kryesisë së PS, por ajo që bie në sy është se pikërisht në 11 maj opozita ka thirrur një protestë kombëtare kundër qeverisë.
Po ashtu, PS do të zhvillojë nesër një mbledhje me 12 të deleguarit e qarqeve, ndërsa të shtunën ka parashikuar mbledhjen e përgjithshme për të zyrtarizuar kandidaturat për 61 bashkitë e vendit.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryeministri Rama tha se ka ende mundësi për të përmirësuar klimën politike në vend.
I pyetur nëse i vinte keq që në këtë garë, të paktën deri më tani, nuk do të ketë përballë Lulzim Bashën, Rama tha se secili bën zgjedhjet e vet. “Nuk jam i mërzitur, por i keqardhur”, – theksoi ai.
Edhe njëherë ai solli në vëmendje legjislacionin që parashikon dënim me burg për çdo tentativë për të prishur procesin zgjedhor.
Duke iu kthyer marrëveshjes së majit 2017, kreu i qeverisë tha se vendime të tilla sjellin më shumë dëme sesa përmirësojnë demokracinë.