Pas deklaratës së deputetit Ditmir Bushati se PS duhet të kërkonte falje publike për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit Valdrin Pjetri pasi ky i fundit fshehu një dënim, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë përballë Sokol Ballës në ‘Real Story’ kryeministri nuk ishte aspak dakord me faktin që PS të kërkonte falje për një gënjeshtër të një kandidati. Po ashtu ai tha se Bushati kishte të drejtë të shprehte opinionin e tij.
Balla: Ç’mund të na thoni për 3 kandidatët e inkriminuar
Rama: Si i gjete tre të inkriminuar? Ku i gjete? Si është e mundur që një burrë që s’ka paguar asnjë gjobë, e fute tek ata 3. Si mund ta thuash që është i 3-ti. Si është e mundur që e dënon të dytin…
Balla: Kryetari i Vorës ka harruar që të plotësojë formularin..
Rama: Në një shoqëri si e jona përgjegjësia qenka kolektive. Njerëzit janë të detyruar për vetëdeklarim. Do e forcojmë ligjin për vetëdeklarimin. Listat do të shkojnë përpara, pra do e vendosim si ligj. Se nuk do shkojmë në Interpol ne. Ato lista janë marrë nga PD ilegalisht. Do t’i çojmë listat përpara në KQZ dhe t’i marrë prokuroria. Është faj i partisë politike? Jo mo jo. Dikush që gënjen para partisë, para njerëzve, para ligjit, kjo duhet ndarë. Këta bëjnë sikur jetojnë në një maternitet virgjëresha, ku edhe lindja nuk ndodh për t’u ruajtur virgjëria. Prokurorët e tyre në vend që t’i hetonin ato, i çuan tek partia, dhe më pas i çuan tek Bild (përgjimet për zgjedhjet në Dibër). Ata janë antishqiptar, dhe nuk duan që të hapet Europa. Dhe marrin Bild dhe i thonë; këta do merrni në Europë?!
Balla: Bushati tha që PS duhet të kërkojë ndjesë për Valdrin Pjetrin…
Rama: E tha, mirë bëri që e tha. Është drejtuesi politik ai që e ka propozuar atë kandidat dhe që nuk mund të fajësohet se kandidati gënjen. Që e ka një ide të vetën Bushati, s’ka asnjë problem. Është ide e tij. Pse duhet të kërkoj ndjesë partia këtu se një kandidat gënjehu?? Jo. Një anëtar të një familje me baba dhe mama shembullore, del dru i shtrembër. Por s’mban përgjegjësi familja.