Ngjarja e parë që do të ndihmojë në zgjedhjen e kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara ndodh sot në shtetin e Ajoas.
Votuesit demokratë dhe republikanë do t’i zgjedhin të preferuarit e tyre për garën drejt Shtëpisë së Bardhë.
Fitorja në Ajoa nuk ia garanton asnjërit nominimin, por i jep një shtysë të rëndësishme.
Presidenti aktual, Donald Trump, duket qartë se do të jetë kandidati republikan, por janë 11 persona që do të garojnë për nominimin e Partisë Demokratike.
Çfarë ndodh në Ajoa?
Të hënën në Ajoa, njerëzit do të mblidhen në bodrumet e kishave, në palestrat e shkollave e madje edhe në shtëpi private, për të treguar mbështetjen e tyre për kandidatët.
Partia Demokratike do të mbajë tubime të tilla në afro 1,700 pika. Ajoa, Nevada dhe Vajoming janë shtetet e vetme që mbajnë këso takimesh – 47 të tjerat kanë zgjedhje paraprake, në të cilat votuesit votojnë për kandidatët që i pëlqejnë.
Përse tubimet e tilla janë të rëndësishme?
Tubimet në Ajoa datojnë nga vitet 1840, por nga viti 1972 ato e nisin garën për emërimin presidencial. Fituesi që del nga to, merr hov dhe vëmendje mediatike, por historia tregon se kjo nuk është gjithmonë përparësi.
Te Partia Republikane, tre të nominuar presidencialë kanë fituar në Ajoa, te Partia Demokrate shtatë.
Te republikanët, vetëm një president – George W. Bush – ka fituar në tubimet e tilla në Ajoa. Te demokratët, ndërkaq, dy fitues të Ajoas janë bërë presidentë: Jimmy Carter dhe Barack Obama.
Si funksionojnë tubimet në Ajoa?
Përfaqësuesit e fushatës do ta bëjnë prezantimin final të kandidatëve përkatës. Pas kësaj, njerëzit do të mblidhen me të tjerët që mbështesin të njëjtin kandidat.
Kandidatët që kanë më pak se 15% të mbështetjes nga numri total i njerëzve në dhomë, konsiderohen “të paqëndrueshëm”.
Ndjekësit e tyre, në këtë pikë, mund të shkojnë te grupi i një kandidati tjetër.
Pas raundit të dytë, të gjithë kandidatëve me më shumë se 15% të mbështetjes u ndahen disa delegatë, që do t’i përfaqësojnë ata në etapa të mëvonshme të procesit të nominimit.
Ajoa ka një nga proceset më komplekse, që përfshijnë tubimet e 3 shkurtit, pastaj kongreset e qarqeve dhe konventën e rrethit.
Këtë vit, 41 delegatët përfundimtarë do të zgjidhen më 13 qershor në konventën e shtetit.
Në korrik, ata pastaj do të kalojnë në Konventën Kombëtare Demokratike, në të cilën delegatët që përfaqësojnë të gjitha shtetet dhe territoret amerikane zgjedhin kandidatin presidencial të partisë.
Këtë vit, një kandidati të Partisë Demokratike i duhen 1,991 vota të delegatëve për të fituar nominimin e partisë.
Sa kandidatë marrin pjesë?
Janë 11 demokratë që synojnë të bëhen kandidatë presidencialë të partisë. Sipas sondazheve të opinionit, Bernie Sanders, senator nga Vermonti, dhe Joe Biden, ish-nënpresident, janë në mesin e kandidatëve kryesorë.
Elizabeth Warren, senatore nga Masaçusets, është një tjetër kandidate që del mirë në sondazhe.
A është ky proces i drejtë?
Dyzetenjë delegatët të përfshirë në Ajoa, janë vetëm një pjesë e numrit total që i duhet një kandidati për t’u bërë i nominuar i Partisë Demokratike.
Kjo bën që disa kritikë të thonë se rëndësia e Ajoas është e mbivlerësuar.
Tubimet në Ajoa shpesh kritikohen edhe për pjesëmarrjen e popullsisë kryesisht të bardhë dhe, në këtë mënyrë, thuhet se nuk e përfaqësojnë gjithë vendin.
Të tjerët thonë se këto tubime, ndryshe nga zgjedhjet paraprake, u kërkojnë njerëzve të jenë të pranishëm fizikisht për disa orë.
Sipas Unionit të Lirive Civile Amerikane, “kjo e bën pjesëmarrjen të vështirë për njerëzit që nuk kanë ose nuk mund ta përballojnë kujdesin për fëmijët, për njerëzit me aftësi të kufizuara, për njerëzit që nuk kanë transport ose për njerëzit që punojnë në mbrëmje”.
Çfarë ndodh pas Ajoas?
Zgjedhjet paraprake do të mbahen në Nju Hempshir më 11 shkurt, në Nevada më 20 shkurt dhe në Karolinë të Jugut më 29 shkurt.
Më 3 mars do të jetë “Super e Marta”, kur zgjedhjet paraprake mbahen në 14 shtete. Më shumë se një e treta e popullsisë amerikane pritet të votojë më 3 mars.
Konventa Kombëtare Demokratike do të mbahet më 13-16 korrik, ndërsa zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor./REL