Messi apo Neymar? Louis van Gaal: “Preferoj ata si Milner, ja përse”. Edhe pse Messi ka ditëlindjen, holandezi nuk i bën komplimente dhe zbulon arsyet pse Barcelona nuk po fiton dot më Champions League
Louis van Gaal ka folur për Lionel Messi, në 32-vjetorin e yllit argjentinas, duke pretenduar se talenti i Barcelonës duhet të përshtatet me ekipin dhe jo anasjelltas.
Ish-trajneri i Blaugranëve mendon se pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shumë liri në “Camp Nou”, me trajnerët e fundit të Barçës që i japin përparësi talentit individual të Messit mbi ekipin.
Pavarësisht se fitoi titullin e La Liga-s sezonin e kaluar, kampionët spanjollë dështuan sërish në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar nga Liverpool në gjysmëfinale. Kjo do të thotë se Messi mbetet në kuotën e katër Champions-ve me Barçën. Ai nuk luan në finale të këtij kompeticioni që prej fitimit të trofeut, në vitin 2015.
Në një intervistë me “El Pais”, Van Gaal shpjegoi se argjentinasi është arsyeja e mungesës së suksesit të Ernesto Valverde në skenën europiane: “Unë besoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se ekipi, – tha Van Gaal. – Barça vuan nga kjo. Messi duhet të pyesë veten se si është e mundur që ai ka shkuar aq gjatë, pa fituar një Ligë Kampionesh. Shikoni Barcelonën. Sa Champions ka fituar me atë, që gjithkush thotë se është lojtari më i mirë në botë? Shikoni Neymar te PSG. Sa Champions ka fituar ai?
Messi është lojtari më i mirë individual në botë, sepse statistikat e tij janë të mrekullueshme, por pse nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve për pesë vite? Si kapiten, ju duhet ta pyesni veten pse ekipi nuk fiton në Europë. Mendoj se Messi është, gjithashtu, përgjegjës për atë që po ndodh me Barcelonën, jo vetëm trajneri. Skuadra katalanase ka një total prej gati 30 lojtarësh dhe besoj se Messi duhet të përshtatet me ta, jo anasjelltas”.
“Më shumë se lojtarët si Messi dhe Neymar, unë preferoj ata që janë funksionalë për lojën e skuadrës. Një emër? James Milner i Liverpool. Në moshën 33-vjeçare ka luajtur një finale të Champions League si mesfushor dhe mbrojtës. Edhe sulmuesit e Reds-ave dinë të japin shumë për ata që kanë në krah. Për mënyrën si e shoh unë, edhe Messi dhe Neymar duhet të luajnë për skuadrën“, thotë holandezi.
Van Gaal fitoi titullin e parë të La Liga-s në eksperiencën e tij të parë te Barcelona, në vitin 1997, ndërsa më vonë u kthye në këtë klub, në vitin 2002, por qëndroi vetëm gjysmë sezoni, pasi ecurisë së dobët të katalanasve. Duke bërë këto deklarata mbi situatën e Messit, 67-vjeçari shtoi se ka besuar gjithmonë në shpirtin e ekipit. Ai argumentoi se Pep Guardiola është trajneri i vetëm i Barcelonës, që e ka trajtuar Messin në mënyrën e duhur: “Guardiola e bëri atë të luajë në dobi të ekipit, ndërsa trajnerët e mëvonshëm janë përshtatur më shumë me Messin, në vend që të mbrojnë shpirtin e ekipit. Shpirti i ekipit është gjëja më e rëndësishme. Messi rregulloi planin taktik të Guardiolës, jo anasjelltas”.