Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) më qendër në Ljubljana, Slloveni, i bëri një portret gjeneralit iranian Qasem Soleimani, duke e krahasuar atë me Napolon Bonopartin e Lindjes së Mesme.
Në një analizë me titull “Irani 2020: Vrasja e gjeneralit iranian – ‘Bonaparti’ i Revolucionit Iranian”, Soleimanit i dedikohen dhe masakrat në Siri.
Ja ç’shkruhet në studim:
Qasem Soleimani nuk ishte gjenerali më i lartë në ushtrinë iraniane, por ai ishte më i famshmi i vrarë nga amerikanët. Në këtë operacion kompleks, amerikanët kanë vepruar më të sigurt dhe më të guximshëm se kurrë. Megjithëse regjimi iranian ka vrarë qindra amerikanë në dyzet vitet e fundit, kjo është hera e parë që Uashingtoni zyrtar është hakmarrë drejtpërdrejt ndaj regjimit iranian, pasi në të kaluarën ata synuan vetëm milicitë pro-iraniane si Hezbollahu i Libanit.
Amerikanët kanë vërtetuar se ata kanë një listë të objektivave strategjike të Iranit, të cilat mund t’i godasin nëse Irani përpiqet t’i sfidojë ata. Prandaj, ata nuk kanë gjasa të guxojnë të sulmojnë direkt shënjestrat amerikane në rajon, dhe ka më shumë të ngjarë të hakmerren me sulme të veçuara ndaj Arabisë Saudite ose aleatëve evropianë në formën e sulmeve terroriste në aeroplanë, anije, ambasada, ose me atentate të drejtpërdrejta të individëve. Irani ka aleatët në Afganistan, Siri, Irak, Liban dhe ka agjentë në të gjithë botën.
Gjeneral Soleimani ishte shpikja e regjimit iranian, i cili dëshironte të ishte një simbol i perandorisë së ndikimit të tyre (Bagdad, Damask, Beirut, Sanaa). Me likuidimin e tij, ai u bë një simbol i humbjes së idesë për eksportimin e Revolucionit Islamik në Lindjen e Mesme. Soleimani u bë një yll i famshëm pas vitesh të një veprimtari misterioze, së pari në jug të Libanit, ku mori pjesë në themelimin e Hezbollahut në 1982. Pastaj ai filloi të marrë një pjesë aktive në formimin e qeverisë irakiane në 2006, 2010, 2014 dhe 2018.
“Bonaparti” e Revolucionit Iranian
Po pse Soleimani quhet ndryshe dhe si “Bonoparti” i Revolucionit Iranian?
Ideologët për përhapjen e ndikimit iranian përtej kufijve të Iranit, e kishin gjeneralin Qasem Soleimanin si “Napoleon Bonapartin” e Lindjes së Mesme. Ai drejtoi Korpusin e Forcave Quds, formacioni kryesor ushtarak i Gardës Revolucionare për operacione speciale. Gjeneral Soleimani këmbënguli se ai ishte simboli i një “ushtari” në shërbim të Revolucioni. Distanca e tij nga qendra e vëmendjes dhe e kamerave, e shndërroi atë në një mit për perandorinë e madhe iraniane-shiite.
Ai ishte krahu i zgjatur i udhëheqësit “teokratik” të revolucionit, Ayatollah Ali Khamenei.
Edhe para vdekjes së tij, Soleimani u konsiderua i treti nga tre “të Mëdhenjtë” në sytë e militantëve besnikë të Iranit në botën arabe, pas Ayatollah Ruhollah Khomeini dhe Ayatollah Ali Khamenei, të cilët e quanin atë “dëshmor të gjallë” gjatë emërimit të tij në vitin 1998 si Komandant i Trupave Quds.
Në Revolucionin Francez, Bonaparti u kthye kundër Republikës dhe u bë Perandori Napoleon I. Në Revolucionin Rus, Ushtria e Kuqe likuidoi gjeneralët kryesorë, që të mos kishte një drejtues me karakteristika bonapartiste që do të rrëzonte hegjemoninë e Partisë Bolshevike. Kështu, ata rrëzuan Leo Trotsky, një ideues i Ushtrisë së Kuqe të vitit 1927, i cili nuk i përkiste hierarkisë ushtarake. Një shembull i ngjashëm është likuidimi i Marshallit Mikhail Tukhachevsky në 1937. Komandanti më i shquar ushtarak sovjetik në fitoren ndaj Gjermanisë së Hitlerit, Marshalli Georgy Zhukov, u hoq nga qendra e vendimmarrjes ushtarake dhe politike pas luftës.
Sa për Revolucionin Kinez, ai kishte “Bonapartin” e saj në personin e Marshal Lin Biao, i cili kishte ambicie për të pasuar Mao Zedong në vitet e para të “Revolucionit Kulturor”, kështu që u hoq në 1971.
Gjenerali Soleimani, i cili ishte përgatitur nga hierarkia fetare për të udhëhequr vendin një ditë, u vra jo nga të vetët si në revolucionet e lartpërmendura botërore, por nga amerikanët, të cilët e vlerësuan si më të rrezikshëm për interesat e tyre në Lindjen e Mesme.
Karakteri bonapartist u hoq plotësisht nga jashtë, para se linja e ashpër e hierarkisë fetare iraniane të përfundonte nisjen e tij politike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, në një moment shumë tronditës në Lindjen e Mesme. Kështu, administrata e Donald Trump ka eliminuar planet bonapartiste të Gardës Revolucionare Iraniane.
Karizma bonapartiste dhe froni i pritshëm, i krijuar jo vetëm nga vetë gjeneral Soleimani por nga regjimi iranian krejt dhe milicitë shiite, tani ka mbetur bosh.
Gjeneral Soleimani ishte iraniani më i rrezikshëm që bota kishte njohur ndonjëherë. Vrasjet masive në Siri u organizuan dhe u kryen nga militantët e tij.
Është e vështirë të krijosh një karakter karizmatik dhe mitologjik, siç qe gjenerali Soleimani, i cili ishte komandanti ushtarak i “ëndrrës së perandorisë iraniane”. Ajo ëndërr vdiq me të – të paktën tani për tani.