Të premten, numri i të prekurve me COVID-19 në Gjermani shënoi 3,059, gjashtë prej të cilëve kanë humbur jetën, e llogaritur si dy persona në 1 mijë raste.
Këto shifra bien në sy kur i krahason me vende të tjera të prekura më rëndë si Kina, Italia, Irani, Koreja e Jugut, Spanja ose Franca.
Në Kinë, raporti është rreth 39 viktima në 1 mijë të infektuar, në Itali është 67, në Iran 45 dhe në Spanjë 23.
Pse Gjermania ka më pak viktima në krahasim me vendet e tjera të botës?
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, Prof. Dr. Lothar H. Wieler, presidenti i Institutit Robert Koch në Berlin tha, “Që nga fillimi, i kemi bërë thirrje sistematike doktorëve që të testojnë njerëzit”.
Ai tha se sistemi gjerman ka një kapacitet “testimi të një grade të lartë kështu që mund ta kontrollojnë lehtësisht që nga fillimi i epidemisë”.
Weiler gjithashtu shpjegoi se ky është vetëm fillimi për Gjermaninë, “nëse mund ta përfytyroni epideminë si një kurbë, atëherë ka vende që janë thjesht më përpara” në përparimin e kësaj epidemie.
Ai pret që numri i rasteve dhe i viktimave të rritet, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera.
Gjermania është duke shkëmbyer informacione me vendet e tjera për të mësuar më shumë për zhvillimin e sëmundjes dhe po bashkëpunon mbi konceptet për frenimin e pandemisë.
Ai tha se duhet të fokusohemi që të mbrojmë grupmoshat e rrezikuara më shumë, së pari duke shmangur ekspozimin e tyre.
Ndërkohë, një virolog italian tha se numri i ulët i vdekjeve në Gjermani “është një pyetje së cilës askush nuk mund t’i përgjigjet”
Merkel parashikon që do të preket 60 deri në 70 për qind e popullsisë
Të mërkurën kancelarja Angela Merkel deklaroi se kishte të ngjarë që të prekej 60 deri në 70 për qind e popullsisë gjermane dhe argumentoi se është e rëndësishme që ky proces të shtyhet sa më shumë të jetë e mundur.