Kuriozitete Pse thuhet se tërmetet ndodhin më shpesh natën?

Pse thuhet se tërmetet ndodhin më shpesh natën?

Edhe pse tërmetet janë perceptuar si fenomene që ndodhin kryesisht natën, gjeologët thonë se një tërmet mund të ndodhë në çdo kohë të ditës apo natës, dhe se shpeshtësia e tërmeteve gjatë natës në krahasim me ditën është thjesht rastësore.

Në fakt, pllakat tektonike lëvizin kilometra poshtë kores së tokës, ku fenomene sipërfaqësore si temperatura apo ndërrimi i ditës dhe natës nuk kanë asnjë ndikim.

Tërmeti i  fundit në vendin tonë ka ndodhur natën (më saktë në orën 3.54 të mëngjesit të djeshëm), kjo është një rastësi, pasi duhet të kemi parasysh se në të shkuarën shumë tërmete të fuqishme kanë ndodhur edhe gjatë ditës. Sipas ekspertëve, perceptimi i tërmetit si një fenomen i lidhur me natën, mund të shpjegohet nga pikëpamja psikologjike.

Tërmetet që bien gjatë natës krijojnë një ndikim shumë më të fortë emocional, pasi në këtë kohë krijohet ndjesia se nuk e ke situatën nën kontroll, si për shkak të fushëpamjes së dobët ashtu edhe aftësinë së ngadalësuar për të reaguar, qoftë edhe për shkak se nata është një pjesë e ditës e dedikuar ndaj pushimit dhe qetësisë, që pasi trazohet shkakton frikë dhe shqetësim.