Në një nga videot e publikuara nga atentati që u krye ndaj kandidatit për President të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ai mund të dëgjohet duke thënë: “Duhet të marr këpucët.”
Siç raportojnë mediat amerikan, Trump më pas shpjegoi se agjentët iu hodhën në trup me aq vrull për ta ulur në tokë, saqë ish-presidentit iu hoqën këpucët.
“Dhe, unë zakonisht i lidh shtrënguar,” tregoi Trump në një intervistë të dhënë.
Po ashtu, ai ndër të tjera falenderoi efektivët e Shërbimeve Sekrete për mënyrën si reaguan dhe i përgëzoi që arritën ta neutralizonin autorin.
Ndërkohë ish-agjenti i Shërbimeve Sekrete, Timothy Miller është shprehur për Newsday të BBC se zona duhej të ishte e blinduar nga forcat policore, sidomos në zonën ku ndodhej autori.
“Pasi u identifikua se në atë çati ishte një person i panjohur i armatosur, në një distancë prej 150 metrash nga presidenti, ekipet e kundër-snajperëve duhet të kishin ndërmarrë veprime menjëherë dhe siç duhet”, thotë ai.
“Dhe teksa e sheh çfarë ka ndodhur, kupton që gjithçka ishte dështim pas dështimi,” shton Miller.
Miller thotë se nëse ish-presidenti nuk do ta kthente pak kokën në anën e kundërt, personi i armatosur do ta kishte vrarë dhe “do të ishim duke komentuar një situatë shumë të ndryshme”.