Arnaud apo Arnaut është emri me të cilin shqiptarët njihen nga turqit duke filluar qe nga periudha e Mesjetës. Ky emër shumë është përmendur dhe për prejardhjen e tij është thënë se nuk ka nevojë për vërtetim, se ai lindi me ardhjen e osmanëve në trojet shqiptare dhe vetëm kaq.
Eqrem Çabej thotë se “nga aspektet e ndryshme të një fjale, me rëndësi themelore për etimologjinë është historia e saj, sepse me sqarimin e kësaj ane përmbushen shumë herë edhe kushtet për konstatimin e burimit të fjalës. Për të ndriçuar anën historike të fjalës, para së gjithash duhet që në kushtet e veçanta të shqipes, me traditën a vonë të shkrimit të saj, për një fjalë që të dokumentohet, të ndiqet zhvillimi që ka kryer nëpër kohë, duhet nisur me vendin e veprës ku shfaqet për herë të parë edhe duke caktuar trajtën dhe kuptimin me të cilën paraqitet aty”. Pra për të lejuar krijimin e një pasqyrimi të qartë të fjalës “Arnaud”, për të shkuar tek burimi i mirëfilltë i saj, nevojitet një zhvendosje shume prapa në kohe dhe larg trojeve ballkanike.
Në fillim të viteve 700 të erës sonë, Franca jugore dhe Katatonja në Spanjë ishin përfshirë nga luftëra civile, pushtime e kaos. Kjo periudhë zgjati afro një shekull; autoriteti mbretëror pushoi së ekzistuari dhe pushteti kaloi në duart e familjeve apo klaneve që dolën të fuqishme nga kjo periudhë. Si rrjedhim, aty nga fillimi i shekullit IX në Akuitainen perëndimore, Konti Ermenon i Poitous dhe vëllai i tij Turpio, kont i Angulemës, kishin krijuar principatat e tyre. Konti Ermenon mori më pas edhe kontrollin e krahinës Perigord ku u martua me motrën e Sançezit, duka i Gaskonisë. Nga kjo martesë lindi një djalë që ata ia vunë emrin Arnaud. Ishte viti 838.
Përdorimi i emrit Arnaud nga një derë fisnikësh lë të kuptohet se ai mund të jetë përdorur edhe para viteve 800. Në fakt emri “Arnulf” nga i cili rrjedh edhe “Arnaud” ndeshet qysh në shekullin V-VI, kur flitet për një Shën Arnulf, burrë shteti, strateg ushtarak, kryepeshkop i Mentzit, dhe më pas shenjtor i Kishës Katolike. Pra është një e vërtetë historike se që në shekujt V – VI emri Arnaud del diku midis Francës dhe Spanjës, dhe papritur pas shumë shekujsh, në vitet 1400 shfaqet në Ballkan nëpërmjet pushtuesve osmanë.
Është thëna se turqit e morën fjalën “arnaud” nga grekët të cilët e quanin fqinjin e tyre verior “arvanit”. Por që emri “arvanit” të pësonte ndryshime duke u shndërruar në “arnaud” për këtë me siguri do të duhej një periudhë më e gjatë kontakti midis turqve dhe grekëve para se turqit të binin në kontakt me arvanitët (shqiptarët). Këtu duhet patur parasysh edhe karakteristika e turqishtes, e cila fjalët e huazuara nga greqishtja, veçanërisht emrat e vendeve, vazhdon t’i ruajë edhe sot thuajse të pandryshueshme. Rrjedhimisht mund të thuhet pra, se emrin “arnaud” turqit ka gjasa ta kenë patur në fjalorin e tyre shume shekuj para se të binin në kontakt me shqiptarët.
Por si dhe kur?
Në vitin 851-852, morët (arabët myslimanë) pushtuan Barcelonën dhe vazhduan sulmin e tyre drejt veri perëndimit në Navarra dhe Gaskoni, ku ata zunë rob dukën Sançez dhe kunatin e tij, Kontin Ermenon, atin e Arnaudit. Siç ndodh shpesh gjatë pushtimeve, konti Ermenon për të shpëtuar familjen dhe zotërimet e tij bëhet vasal i sunduesve arabë dhe veç haraçit në të holla që paguante, ai ishte i detyruar të dërgonte edhe ushtarë sa herë që trupat myslimane ndërmerrnin fushata. Në vitin 863, gjatë një beteje me vikingët, konti Ermenon, dhe vëllai i tij Turpio vriten. Në krye të trupave vihet Arnaudi i ri, i cili ndryshe nga i ati, ngriti krye kundër pushtuesve, dhe arriti të marrë nën kontroll rajonin Fezensak. Konti Arnaud gjithashtu u përpoq të fuste nën kontrollin e tij edhe Gaskoninë, por pa sukses.
Arnaudi, kont i Fezensakut vdiq në vitin 926 dhe falë famës së tij, emri Arnaud, tashmë sinonimi qëndresës, gëzoi një përhapje të gjerë. Në mesjetën e hershme emri “Arnaud” u bë një nga emrat më të përdorur në jug të Francës. Në vitin 1318, me shtypjen e lëvizjes së Albigjenësve në Francën jugore, fshati i thellë malor Montaillou në malet Pirenenj u bë një nga strehimet e fundit të heretikëve. Historiani francez Le Roy Ladurie përmend mbi 10 familje me mbiemrin Arnaud, dhe fshati Montaillou në atë kohë nuk kishte më shumë se 50 familje.
Në shekullin XII–XIV, për të ndalur zgjerimin e perandorisë osmane, perandori i Bizantit përdori trupa mercenarësh nga Evropa perëndimore, ndërsa në vitin 1324, vetë sulltan Orhani filloi të zbatonte politikën e përdorimit të mercenarëve të krishterë nga Evropa në radhët e ushtrisë osmane, për të pakësuar kështu varësinë e deri atëhershme për trupa nga fiset nomade. Shumica e këtyre mercenarëve të krishterë ishin njerës të përndjekur nga vendet e tyre kryesisht për arsye fetare. Franca jugore në Mesjetën e hershme njihej si djepi i heretizmit dhe rajoni ky kisha katolike me kryqëzatën e saj kundër Albigjenësve shënoi fillimin e periudhës së Inkuzicionit. Për pasojë qindra mijëra të ashtuquajtur heretikë morën arratinë duke kërkuar strehim. Dhe ku tjetër ata mund të ndjeheshin më të sigurt nga inkuizicioni sesa në territoret e perandorisë osmane? Cili vend tjetër do t’u ofronte atyre mundësinë më të mirë për të luftuar, me bindje ose si mercenarë, kundër kishës, sesa perandoria Osmane?
Ka gjasa që pas një farë kohe emri “arnaud” ne gojën e turqve u be sinonim i ushtarit me pagesë ose të krishterë që luftonte në radhët e ushtrisë osmane.
“Arnaud” rrjedh nga gjermanishtja e vjetër (teutonishtja) dhe në shqip merr kuptimin “kryeshqiponjë”. Emri “Shqiptar” dihet se është një term relativisht i ri që filloi të përdorej si emër populli disa shekuj pas qarkullimi të termit “arnaut”. Ka gjasa që emri “shqiptar” të mos jetë tjetër veçse një “kalk”, një përkthim i përpiktë i gjermanishtes “arnaud” dhe ndoshta vetëm rastësisht afrohet me termin “arbër”.
Arkivat ushtarake austriake përmendin faktin se në gjysmën e dytë të shekullit XVII, në shërbim të forcave të perandorisë austriake kishte një numër të madh arnautësh që luftonin kundër trupave osmane. Ata sigurisht kishin një farë njohurie rreth gjuhës së vendit në ushtrinë e të cilit shërbenin. Ndonjëri prej tyre ndoshta u bë kureshtar të mësonte kuptimin e emrit “arnaut” me të cilin e thërrisnin dhe kur e dëgjoi, emri “shqipe” duket se i pëlqeu. Në burimet turke dhe ato veneciane të shekullit XVII që bëjnë fjalë rreth fushatave turke në Baltkan vihen re edhe shprehje të tilla si “arnautë dhe arnautë-shqiptarë”. Kjo lë të kuptohet se shprehja “arnaud” sapo kishte filluar të “shqiptarizohej”.
Profesor Çabej thotë se ‘dalja fitues i emrit “shqiptar” ndaj atij “arbër” nga fundi i shekullit XVII morri shkas ndoshta nga shtegtimet e shumta të fiseve shqiptare të kohës së mesme, formime fisesh të reja, dhe dyndja e osmanëve.’ Në këtë rast mund të thuhet se shtegtimet e shumta dhe dyndja osmane që solli me vete emrin “arnaud”, ishin ato që ndihmuan në daljen fitues të emrit “shqiptar”./Astrit Lulushi