Qeveria e Francës e mbylli pak ditë më parë futbollin të paktën deri në shtator, por disa klube kanë qenë kundër. PSG, që ka synime në Ligën e Kampionëve, menjëherë mbajti qëndrim, duke propozuar se do t’i luajë ndeshjet e këtij kompeticioni në një vend tjetër. Dhe duket se e ka gjetur këtë vend.
Duke parë alternativat, pasi në “Parc de Prince” nuk mund të luajë, presidenti Naser Al-Khelaifi sheh si një mundësi mjaft të mirë Katarin. Lajmi bëhet i ditur nga shtypi lokal, që po ashtu shkruan se një hipotezë mund të jetë edhe Portugalia. Megjithatë, ka kohë, sepse para Ligës së Kampionëve janë kampionatet kombëtare, sipas udhëzimeve të UEFA-s.
PSG është një nga skuadrat që ka kaluar në çerekfinale, pasi eliminoi gjermanët e Borusia Dortmund. Skuadra të kualifikuara janë edhe Atalanta, Atletiko Madrid dhe Lajpcig, ndërsa katër skuadrat e tjera çerekfinaliste nuk janë përcaktuar ende, sepse nuk janë zhvilluar ndeshjet e kthimit, ngaqë futbolli u pezullua pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.