Bota Kina drejt normalitetit, në maj mblidhet Kongresi Popullor, COVID-19 i përket së...

Kina drejt normalitetit, në maj mblidhet Kongresi Popullor, COVID-19 i përket së kaluarës

Kina njoftoi të mërkurën se Parlamenti i saj do të nisë sesionin vjetor më 22 maj, duke sinjalizuar se vendi po kthehet në normalitet pasi u detyrua të hynte në një paralizë për disa muaj për shkak të epidemisë së COVID-19.

Gjatë mbledhjes së Kongresit Kombëtar Popullor, në Pekin, delegatët do të ratifikojnë një seri ligjesh, ndërsa qeveria do të zbulojë objektivat ekonomikë, do të caktojë shpenzimet për mbrojtjen dhe do të njoftojë ndryshime në personel. Gjithashtu, Partia Komuniste, sikurse e do tradita, do të prezantojë edhe një sërë nismash politike.

Sesioni ishte planifikuar të niste më 5 mars, por u shty për shkak të COVID-19, që në vend ka infektuar rreth 83 mijë persona dhe ka vrarë mbi 4.600 të tjerë pasi u shfaq vitin e kaluar në qytetin e Wuhanit.

Teksa epidemia është vënë nën kontroll, jeta sociale dhe ekonomike në Kinë gradualisht po i kthehet normalitetit, duke i mundësuar Kongresit të mblidhet.

Zakonisht mbi 5 mijë delegatë mblidhen në Pekin nga e gjithë Kina për të paktën 10 ditë, por është e paqartë se sa ditë do të vijojnë punimet e Kongresit, që ka gjasa të shkurtohen nga shqetësimet për koronavirusin.