Aktualitet Publikimi i pagave, Zv.ministri i Financave: Po ndihmohemi nga shtete të avancuara...

Publikimi i pagave, Zv.ministri i Financave: Po ndihmohemi nga shtete të avancuara në teknologji

Zëvendës ministri i Financave, Besart Kadia, ka reaguar për publikimin e të dhënave të pagave të qytetarëve shqiptarë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kadia tha se publikimi i të dhënave që është një akt kriminal.

“Duke qenë se është çështjeve serioze, duhet ta kuptojmë është çështje kriminale. Janë mijëra punonjës tatimesh që kanë akses çdo ditë tek këto të dhënat. Punonjësit e tatimeve kanë akses dhe janë të dhëna shtetërore për të parë sa punohet. Tani kemi një akt kriminal të një individi”, tha ai.

Më tej zëvendës ministri i Financave, u shpreh se qeveria shqiptare e ndihmuar nga shtete të tjera po heton për të zbuluar autorin që i ka publikuar këto të dhëna. 

“Këto janë të dhëna zyrtare që kanë akses punonjësit e tatimeve janë marrë në forma të ndryshme dhe janë bërë publike ato që kanë dashur, nuk janë të dhënat që përpunohen nga shteti. Tani debati nëse ndodhin apo nuk ndodhin ngjarje të tilla. Ky është një akt që ministria e Financave e ka çuar në Prokurori për t’u ndjekur më tej.

Shtetet që janë shumë të avancuar në teknologji janë në këto çaste duke u marrë për të parë këtë çështje. Janë me qindra sulme që u ndodhin shteteve të ndryshme sot, nga shumë aktor”, shtoi Kadia.

Ylli Manjani: Qeveria sot duhet të ishte nën hetim, duhet ta qepte gojën

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka deklaruar se personat që kanë akses të ngushtë në serverin e të dhënave personale duhet të ishin arrestuar nga Prokuroria e Tiranës për të kapur provat në lidhje me nxjerrjen e të dhënave personale.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, duke folur për publikimin online të rrogave të qytetarëve, Manjani u shpreh se edhe qeveria sot duhet të ishte nën hetim për këtë skandal.

“Prokuroria e Tiranës duhet t’i kishte arrestuar me autobus këta. Duhet të ishin arrestuar për t’u ndaluar aksesi me kompjuterin të gjithë administratorët legalë. Janë disa në disa zyra. Këto duhet të ishin brenda për të ruajtur provën. Këta mund të jenë me një akses në shtëpi dhe pastrojnë gjurmët. Qeveria është e akuzuar sot për këtë gjë se nuk e ka ruajtur të dhënën time. Qeveria duhet të ishte nën hetim sot dhe duhet të qepte gojën”, tha ndër të tjera Ylli Manjani.